Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se institucionet kanë afat deri me 5 shkurt për të zbardhur rrethanat e vdekjes tragjike të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Këtë afat e ka dhënë deputeti i kësaj partie, Albin Kurti, në një fjalim të tij para objektit të qeverisë së Kosovës, ku ishin mbledhur qindra njerëz në përvjetorin e parë të vdekjes së Deharit.
“Vetëvendosje jep afat deri më 5 shkurt të zbardhet vdekja e Deharit, të shkarkohen nga postet përgjegjësit për vdekjen e tij, nga zinxhiri institucional”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka vazhduar duke folur për personalitetin e Deharit dhe rëndësinë që kishte ai për Vetëvendosjen.
“U bënë një vit qe duken sa një shekull. Një vit si një jetë e tërë pa Astritin. Pa Astritin, këtë patriot.Nënën nga Presheva, babin nga Kumanova e Astriti punoi shumë në mbarë Kosovën”, tha Kurti në një fjalim emocional.
“Ne patëm nevojë për Astritin, që ai të ishte ende mes nesh. Patëm nevojë ta kishim atë në mes nesh, se ai do bëhej doktor shembullor. I kryente detyrat dhe i ndihmonte të tjerët si rrallë kush. Astriti u bë dëshmori më i ri i luftës për barazi e drejtësi”.
Ymeri: Më 5 nëntor 2016, vdiq shteti i Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se më 5 nëntor 2016 vdiq Astriti, por siç tha ai, në këtë datë vdiq i gjithë shteti i Kosovës.
Në fjalimin e mbajtur në marshin protestues për rastin Dehari, Ymeri tha që në këtë datë vdiq edhe papërgjegjësia e institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Sipas tij, saktësisht një vit më parë, vdiq edhe besimi i qytetarëve mbi institucionet e sigurisë së vendit.
“Më 5 nëntor 2016 nuk vdiq Astriti, më 15 nëntor 2016, vdiq shteti i Kosovës. Më 5 nëntor 2016, vdiq përgjegjësia e institucioneve të sigurisë në Kosovë. Më 15 nëntor 2016, vdiq edhe fija e fundit e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet e sigurisë së vendit”, deklaroi ai.
Ymeri tha që Lëvizja Vetëvendosje do vazhdojë të mbajmë gjallë kërkesën, për të kërkuar drejtësi për Astritin.
“Ne ende e mbajmë të gjallë kërkesën tonë, për të kërkuar drejtësi për Astritin”, ka thënë Ymeri.
VV mban marshin protestues “Drejtësi për Astritin” (LIVE)
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar marsh protestues me moton “Drejtësi për Astritin” në njëvjetorin e vdekjes së aktivistit të tyre, derisa ndodhej në Burgun e Prizrenit.
Protestuesit janë mbledhur para Bibliotekës Kombëtare dhe tashmë kanë nisur marshimin drejt ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, ku pritet dhe të mbahen disa fjalime.
Në marsh po marrin pjesë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri; deputeti Albin Kurti, familjarët e Astrit Deharit etj.
Protestuesit po mbajnë parulla e brohorasin “Unë jam Astriti”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Drejtësi për Astritin”, “Vetëvendosje” etj.
VV konsideron se institucionet përgjegjëse nuk e kanë mundësuar një hetim të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm, që do t’i zbardhte rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve shtetërore që të marrin urgjentisht përgjegjësitë e tyre për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit”, thekson ky subjekt politik.