Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dështoi përpjekja për destabilizimin e Kosovës nga Serbia, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se kemi të bëjmë me një strukturë mercenare të përkrahur financiarisht, politikisht dhe logjistikisht nga Beogradi.
Kurti, këtë deklaratë, e ka bërë pas ndezjes së qirinjve për nder të policit të rënë në krye të detyrës në veri, Afrim Bunjaku.
“Në betejën e Kosovës për rend e ligj, kushtetutshmëri, siguri e paqe, për të drejta e liri për të gjithë, kundër kriminelëve të mbështetur politikisht, financiarisht nga Serbia, do të ngadhnjejë Republika e pavarur e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
“I falënderoj të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve mike që na janë bashkuar sonte që të bëjmë nderime për heroin tonë Afrim Bunjaku. Urojmë që ai të jetë i fundit në luftën për liri”.
“Policia e Kosovës është ajo që ju informon me të dhënat nga terreni. Ajo që dihet deri tani është se kemi të vrarë edhe nga grupi i organizuar që kreu sulmin terrorist dhe vrau mizorisht policin tonë”.
“Procesi në vijim do të na jap më shumë të dhëna se kush janë këta, si hynë në Kosovë dhe kush janë urdhërdhënësit për këtë përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Kosovën”.
“Kemi të bëjmë strukturë mercenare e përkrahur financiarisht, politikisht dhe logjistikisht nga Beogradi”, ka thënë Kurti.