Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka folur për ekspozitën e cila është shfaqur në sheshet e Prishtinës, e cila pasqyroi pasakatësi të masakrave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kurti, tha se një ekspozitë e saktë e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë, duhet të rikthehet sa më parë.
“Ekspozita e cila, me sa u mor vesh tashmë është larguar, ajo nuk ndodhet më në shesh. Aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte të tilla që kanë pasur gabime në tekst. Ato natyrisht duhet, mos, duhet të korrigjohen e të përmirësohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës por edhe para nesh. Në veçanti para të rinjve e brezave që do të vijnë. Për shkak se ju e dini që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë te ne, për të mos thënë gati gjysma, ose kanë qenë fëmijë në kohën e luftës dhe nuk e mbajnë mend qartë, dhe nuk kanë pasur si ta kuptojnë atëherë se çfarë po ndodh krejt, dhe në anën tjetër kemi edhe aq shumë të rinj e të reja që kanë lindur pas luftës. Dhe kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë, jo veç për të kaluarën”, tha ai.
“Ndërkaq që është e rëndësishme edhe për aspektin ndërkombëtar, sepse ne dëshirojmë që bota me të cilën ne kemi ndërveprim të dendur të mos harrojë asnjëherë se çmimi i lirisë e i pavarësisë ishte shumë i lartë, dhe në veçanti në popullsinë civile, sepse shumica dërrmuese e të vrarëve në Kosovë janë popullsi civile, dhe aq shumë ka gra fëmijë e pleq. Tash një ekspozitë e saktë e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje një datë optimale do të mund të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Kurti, deklaroi se është me rëndësi që ekspozita të mos jetë veç në Prishtinë, por në të gjitha komunat e Kosovës.
“Dhe jo vetëm kaq, është me rëndësi që ajo të mos jetë veç në Prishtinë, ta kemi një ekspozitë që është nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Sepse vështirë të gjendet ndonjë komunë ku s’ka pasur vrasje mizore e masakra. Dhe është mirë që kur komunat i shënojnë ditët e tyre të çlirimit në javën e dytë e të tretë të qershorit, ta kenë edhe ekspozitën në sheshet e qyteteve anembanë Kosovës për masakrat që kanë ndodhur në ato komuna dhe për këtë gjë i inkurajoj edhe kryetarët e komunave. Jam i të theksoj se çfarë po bën e ka bërë qeveria e Republikës së Kosovës lidhur me të vërtetën dhe drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë, në kuadër të fushatës së saj për drejtësi institucionale për të mos harruar. Në shtator 2022 votuam projektligjin për krijimin e bazës ligjore për trajtimin e krimeve të luftës, në nëntor 2023 e kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë pas 24”, tha Kurti.