Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në konferencën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të shënimit të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, tha se data 24 qershor na kujton rëndësinë e përfshirjes së të gjithë komuniteteve në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit, raporton Ekonomia Online.
Kurti u shpreh krenar për bashkëpunimin me figura të komunitetit egjiptian dhe veçoi si vendim të drejtë emërimin e Elbert Krasniqit si ministër, duke shtuar se përfshirja e këtij komuniteti është dëshmi se Kosova është shoqëri multietnike dhe e barabartë për të gjithë.
“Më 24 qershor ndërgjegjja jonë si anëtarë të shumicës kombëtare, si kurrë më parë, na fton të mos harrojmë për të parët rreth nesh. Do të bëj më shumë në secilën ditë, jo vetëm më 24 qershor. Nga patriotët si Xhevdet Hoti, jam krenar që kam bashkëpunëtorë e miq nga ky komunitet.
Komuniteti egjiptian për shumë gjatë ka qenë tregues në integrimin e shoqërisë sonë dhe shembull i kontributit të vazhdueshëm. Komuniteti egjiptian ka qenë tregim pa dëgjues, pjesë e historisë sonë, disi jashtë rrëfimit. E them gjithmonë: një nga vendimet më të mira që kam marrë është emërimi i Elbertit ( Krasniqi) si ministër. Kemi dhënë trajtim të dinjitetshëm, kemi ndarë fonde për investime kapitale, kemi financuar ndërtimin e shtëpive, kemi ndarë bursa për të rinj, pra nuk e kemi lënë asnjë sektor pa prekur dhe asnjë familje pa mbështetur.
Ne duhet të bashkëjetojmë dhe të bashkëpunojmë në bashkëqeverisje në secilën ditë për shumë e shumë vite, duke dëshmuar që Kosova është multietnike dhe shoqëria i përket të gjithëve, secilit njësoj”, tha Kurti.
Zëvëndëskryeministre në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emelia Rexhepi theksoi përkushtimin për barazi dhe përfaqësim të drejtë të komuniteteve jo-shumicë në institucionet e Kosovës.
“Duke qenë dikush që për vite me radhë është marrë me pjesëmarrjen dhe përdorimin e barabartë të komuniteteve jo-shumicë në shoqërinë kosovare – së bashku me ju, si në parlament ashtu edhe përmes sektorit joqeveritar – kemi punuar për të thyer stereotipe të ndryshme rreth diskriminimit ndaj komuniteteve jo-shumicë. Edhe në këtë mandat kam dhënë kontributin tim që të jemi të gjithë të barabartë, që të gjithë të kemi të njëjtat të drejta dhe së bashku të ndërtojmë një shoqëri ku do të ndajmë si të mirat ashtu edhe të këqijat me popullin shumicë shqiptar. Kjo qeveri, që është ende në funksion, por që gjatë mandatit katërvjeçar ka funksionuar plotësisht, për herë të parë në Kosovë ka pasqyruar vërtet multietnicitetin e saj. Përveç kryeministrit që vjen nga komuniteti shqiptar, në përbërje të qeverisë kemi pasur edhe mua si zëvendëskryeministre nga komuniteti boshnjak, ministrin tonë nga komuniteti egjiptian dhe një ministër tjetër nga komuniteti serb”, shtoi ajo.
Ndërsa, ministri në detyrë, i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se këto ditë janë histori që na bëjnë të mburremi.
“Ne ecim vazhdimisht drejt ideales. Pa dyshim, kohët e trubullta sjellin personalitete të larta. Pas rrugëtimit ne mund të bëjmë një reflektim të qartë me atë si ishim dikur dhe me atë si jemi sot. Komuniteti ynë është i rëndëishëm. Për të krijuar kushte më të dinjitetshme ndërtuam më shumë
shtëpi, shtruam rrugë të reja. Këto ditë janë histori që na bëjnë të mburremi”, shtoi Krasniqi.