Kryeministri Albin Kurti para qeveritar ka konfirmuar se betimi i tre kryetarëve në veri do të bëhet të enjten në ndërtesa publike, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, veprimet e institucioneve e kanë në qendër funksionalizimin dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim, duke shtuar se kjo nuk është zgjedhje kjo është detyrim.
Ai shtoi se frikësimet e shantazhet nga Serbia ndikuan te qytetarët serb që mos të dalin në zgjedhje.
“Dje u bë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve në veri, nuk pati asnjë incident ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet e shantazhet nga Serbia ndikuan tek qytetarët. Vota e munguar ishte mungesë e vullneti të lirë. Fushatat e këtilla ndaj serbeve janë të shpeshta dhe të vazhdueshme”.
“Te premten e kaluar kryetari i zgjedhur i Mitrovicës bëri betimin e tij, nënkryetarja u emërua nga komuniteti serb. Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahet edhe betimi i 3 kryetarëve. Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje kjo është detyrim i yni”, tha ai.
Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 143-të të Qeverisë
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Dje u bënë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident. Ishin të qeta dhe paqësore.
Frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar, ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tanë serbë në këto zgjedhje.
Vota e munguar, ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik.
Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komunat tona në veri të vendit, janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht, nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme.
Të premten e kaluar, kryetari i zgjedhur i Komunës Veriore të Mitrovicës, Erden Atiq, bëri betimin e tij. Kjo është normale, pas një procesi zgjedhor, e Nënkryetarja e Komunës, u emërua Katarina Axhançiq, që vjen nga radhët e komunitetit serb. Edhe kjo është normale për këtë komunë. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, e prej tyre dy gra. E ky është progres, që duhet normalizuar.
Nesër, në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat konstituive dhe betimi edhe i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbetën pa kryetarë. Dy prej tyre edhe pa kuvende. E banorët atje, pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale.
Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarëve pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje. Ky është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend. Sepse, të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në republikë.
Ju falemnderit.