Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se nuk do ta përkrahin versionin e demarkacionit, që iu është sjellë deputetëve për votim, pasi nuk ka ndryshuar nga ai i Murat Mehës dhe as nuk po bëhet që të na i liberalizojë vizat.
Në një konferencë shtypi, Kurti tha se edhe pa ratifikimit të demarkacionit nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët. “Meqë janë dy kritere për liberalizim, atëherë duhet të merremi më shumë me kriterin e parë, që është luftimi i korrupsionit”, tha lideri i VV-së, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, liberalizimi i menjëhershëm i vizave mund të ndodhë vetëm nëse arrestohen 100 politikanë. “Për liberalizim të vizave nuk është kush demarkacioni, por edhe luftimi i korrupsionit. Të gjithë thonë se në Kosovë ka krim e korrupsion, a i bien kjo që pas një jave do të themi u luftua krimi e korrupsione e udhëtoni pa viza. Kjo nuk mund të ndodh vetëm nëse arrestohen 100 politikanë dhe të gjykohen në shkallë të parë”.
“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi po keqinterpretohet si çmim për liberalizimin e vizave. Mirëpo, ka aq shumë procedura të brendshme në Bashkimin Evropian (BE) për liberalizim të vizave: Komisioni Evropian, pastaj Këshilli i Bashkimit Evropian, pastaj Parlamenti Evropian, pastaj ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm të vendeve anëtare. Pse gjithë kjo nguti e Thaçit dhe Haradinajt me demarkacionin? Liberalizimi nuk do të vijë këtë të premte, as javën e ardhshme, as muajin e ardhshëm e as në stinën e ardhshme. Pse po nxitohen?”, tha Kurti gjatë fjalës së tij.
“Ata nuk e kanë për liberalizim të vizave sepse nuk e kanë për qytetarët. Po ta kishin për qytetarët nuk do të pasuroheshin për vete e populli të ngelej gjithnjë e më i varfër, nuk do t’i jepnin pjesë të shtetit të Kosovës Serbisë e pjesë të territorit të Kosovës Malit të Zi. Po ta kishin për qytetarët nuk do t’i bënin 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra e mbi 70 zëvendës-ministra e nuk do t’ia dyfishonin pagat vetes. Jo, këta nuk e kanë për qytetarët, por e kanë për vete. E kanë për karriget e tyre që po ju lëkunden e jo për lëvizjen e lirë të qytetarëve”.
Nënshkrimi i dyfishtë i Thaçit nuk e ka ndryshuar demarkacionin
Drejtuesi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, tha se deputetët e këtij subjekti përveç që nuk do ta votojnë nesër demarkacionin, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit do ta kundërshtojnë atë dhe porsa ta shohim mundësinë do ta pamundësojnë kuorumin.
“Deklarata Thaçi-Vujanoviq nuk sjell gjë të re. Thaçi e ka nënshkruar dy herë të njëjtën çështje dhe të njëjtën gjë. Prandaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Ky është ratifikim i delimitimit, pra i ndryshimit të kufirit, që ka bërë Komisioni i Murat Mehës”, tha Konjufca.
“Çfarë, duhet bërë është që së pari do të duhej që Prokuroria e shtetit ta hetonte ish Komisionin Meha duke u bazuar në të gjeturat e Komisionit Bulliqi. Së dyti, Kuvendi i Kosovës duhet ta diskutojë raportin vlerësues të Komisionit Bulliqi dhe ta themelojë një Komision Hetimor Parlamentar mbi Demarkacionin e këtillë, përkatësisht të hetohet marrëveshja e 26 gushtit 2015 në Vjenë dhe Deklarata e Presidentëve e 16 shkurtit 2018 në Podgoricë”.
Konjufca shtoi se Qeveria nuk i ka numrat pa Listën Serbe. Kurse Lista Serbe po e kërkon ‘Zajednicën’ e Serbisë para se ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Pra, kjo Qeveri duhet t’i falë shtet Serbisë në mënyrë që t’i falë territor të Kosovës Malit të Zi. Qeveria e këtillë duhet të japë dorëheqje.
“Ne kur u pat krijuar koalicioni AAK e PDK i patëm thënë Ramushit që nëse bënë koalicion me Kadri Veselin, nuk e ndryshon Kosovën por bindjet tua. Dhe kjo doli e vërtetë sepse pushteti ia ndryshoi kryeministrit bindjen. E kishte kauzë të rëndësishme demarkacionin, por momentin qe lidhi paktin me Hashimin kjo nuk bëri më problem, kauza nuk mbeti e njëjtë”.
“Për ta maskuar qëndrimin ishte aneks marrëveshja e nënshkruar nga Vujanoviq dhe Thaçi. Vet komisioni qe ka formuar ai erdhi në përcaktime të qarta se vija e përcaktuar e kufirit është e shoqëruar me gabime të mëdha që do të duhej të përmirësoheshin. Mali i Z|i e ka miratuar atë marrëveshje pa asnjë ndryshim. Kryeministri tash e zhbën krejt punën e komisionit”.
“VV në asnjë mënyrë nuk do ta përkrah një votim të tillë. Ne do të votojmë kundër dhe do të mundohemi ta pamundësojmë edhe kuorumin. Tash janë në negociata të japin më shumë shtetësi Serbisë qe ta bindin Listën Serbe për ta votuar demarkacionin. I bie që po japim më shumë shtetësi Serbisë dhe më shumë tokë Malit të Zi”, theksoi Konjufca.