Kurti: Dënim maksimal për urdhërdhënësin, dorasin dhe bashkëpunëtorin në vrasjen e Liridonës

Prishtinë | 03 Dhj 2023 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e Liridona Ademajt, duke thënë se ajo u vra pse ishte grua.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua” ka shkruar Kurti, në një postim në Facebook.

Sipas tij, gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. “Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shkroi Kurti.

Ai ka kërkuar dënime maksimale për ata që planifikuan dhe kryen vrasjen.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”.

“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkroi kryeministri Albin Kurti.

Të ngjashme