Kurti mbledh kabinetin qeveritar, i njofton për situatën në veri

| 06 Nën 2022 | 20:33 | Nga

Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kabineti qeveritar sot mbajti një takim që në rend të ditës kishte diskutimin për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.

Takimi nuk ka qenë i paralajmëruar për medie. Por sipas një komunikate të dërguar në emailat e redaksive, në takim është “theksuar rëndësia e mbarëvajtjes së punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato ofrojnë”.

“Gjatë diskutimit u konfirmua se institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave në kuadër përgjegjësive që kanë”.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti u shpreh se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen, ndërkaq që dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë.

Ai përsëriti thirrjen që mos të bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat i shërbejnë çdonjërit pa dallim.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazi, shërbim ndaj qytetarëve, paqe dhe siguri, theksohet në komunikatë.

Të ngjashme