“Kosovës dhe Shqipërisë i duhet punë e përbashkët dhe jo vetëm takime e mbledhje”, kështu u tha në tribunën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me temën “Integrimi ekonomik kombëtar: Bashkëpunimi – Harmonizimi – Bashkimi” për nderë të festës së 28 nëntorit.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Shqipërisë dhe Kosovës i duhet bashkëpunimi dhe jo vetëm mbledhjet e takimet ndërkaq theksoi se nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta nuk garanton realizimin e tyre.
“Ndodhemi në fazën ku duhet ta vëmë theksin tek puna e përbashkët sepse tashmë takimet e mbledhjet e përbashkëta nuk na mungojnë. Dikur ka qenë ngjarje takimi i Kosovës me Shqipërinë dhe kjo nuk është më ngjarje. Duhet të shohim akademikët e politikanët e studentet duke bashkëpunuar mes vete që sjellin rezultate. Marrëveshjet e nënshkruara nuk garantojnë realizimin e tyre, thelbi kësisoj duhet të jetë puna e përbashkët. Kosova dhe Shqipëria janë më afër se kurdoherë vetëm se janë larg nga Bashkimi Evropian se ndonëse me kombësi të ndryshme janë më afër njëra tjetrës. Në programin tonë ne kemi vënë theksin tek integrimi për bashkim. Është e domosdoshme qe Kosova dhe Shqipëria të frymojnë bashkë, tha Kurti në këtë tribunë, raporton Ekonomia Online.
Ai përmendi fushat ku Kosova dhe Shqipëria duhet të përqendrohen.
Ai tha se mbledhje e dy qeverive do të duhej të mbahej në Mitrovicë dhe jo në Pejë.
“Unë mendoj që Kosova dhe Shqipëria duhet të përqendrohen në mbrojtje dhe ekonomi. Më mirë do të ishte që mbledhja e dy qeverive të mbahej në Mitrovicë që do të duhej bashkuar e jo në Pejë që i falëm 8200 hektarë. Mos realizimi i marrëveshjeve të nënshkruara po i konvenon dikujt, e prandaj nuk po realizohen. Në Kosovë është politika mbi ligjin dhe nuk ka demokraci”, tha Kurti.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arberie Nagavci tha se sistemi i arsimit në Kosovë nuk ofron kuadro të mira që plotësojnë nevojat e tregut.
“Kemi një disbalancë, kemi një numër të madh të papunëve në anën tjetër kemi shumë industri të cilat deklarojnë që mungojnë kuadrot e përgatitura, kjo ndodhë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Në të dy vendet nuk ka vetëdijesim të mjaftueshëm as nga të rinjtë. Edhe në Shqipëri edhe në Kosovë ka pasur reforma në arsim, sivjet në Kosovë janë duke u rishkruar tekstet arsimore, vitin e kaluar ka ndodhur në Shqipëri mirëpo nuk kanë bashkëpunuar mes vete për të pasur një kompletim më të madh te teksteve shkollore”, tha Nagavci.
Edison Jahkurti, nga Lëvizja e Vetëvendosjes tha se fenomeni i barrierave tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë gjithmonë prezentë.
“Nëse i shikojmë politikat fiskale të këtyre dy vendeve ka qenë njëfarë lloj motoje “secili për vete”. Rreth taksës me Serbinë, politikat e Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet me u determinu në bazë të marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai.