Kurti: Me Lajçakun diskutuam për nevojën për dinamizim të dialogut me Serbinë

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botërorë, kanë diskutuar për nevojën e dinamizimit të dialogut dhe normalizimit marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.

“Takova edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, ka shkruar Kurti.

Ai ka deklaruar se është takuar edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka thënë se kanë potencuar se me Kroacinë, Republika e Kosovës ka të përbashkët të kaluarën, por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Në Davos takova zëvendëspresidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin. U shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën. Theksuam rëndësinë e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa me zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe ministrin e Transformimit Digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Power, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos ka thënë se kanë diskutuar mbi transformimin digjital.

Të ngjashme