Kurti merr pjesë në sesionin e Forumit Ekonomik të Vjenës

Prishtinë | 22 Pri 2024 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Nën moton “Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohëra të vështira”, Forumi Ekonomik i Vjenës po zhvillon në Sofje të Bullgarisë konferencën e radhës, ku Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte dhe pjesëmarrës në sesionin e dytë të këtij organizimi, titulluar “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal”.

Në adresimin e tij, ai rikujtoi kontributin e Bullgarisë në zbulimin e planeve gjenocidale të Serbisë së Millosheviqit, por edhe çmoi marrëdhëniet bilaterale mes shteteve tona që këtë vit mbushin 15 vjet. Në këtë prizëm, ai falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e dhënë edhe së fundmi ndaj anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës, që dëshmon dhe vlerat e parimet tona të përbashkëta e demokratike.

Teksa përmendi sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi si shkak i pandemisë që e përjetuam jo shumë kohë më parë dhe efektet e agresionit rus në Ukrainë e situata në Lindjen e Mesme, ai nënvizoi dhe se pikërisht sot, në Ditën e Tokës, edhe ndryshimet klimatike duhen adresuar me urgjencë, për të mirën e gjeneratave të ardhshme.

Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, solidaritetit dhe komunikimit ndërmjet vendeve të rajonit. Duke folur për zhvillimet teknologjike, ai përmendi aspektet pozitive që vihen në shërbim edhe të fuqizimit të urave të bashkëpunimit mes nesh, por edhe keqpërdorimit të qëllimshëm të saj nga autokratët që e shohin teknologjinë si mjet për dëmtimin e demokracisë dhe sigurisë.

Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi vizionin e Kosovës për këtë fushë, zhvillimin që po e njeh sektori i teknologjisë së informacionit, hapat që po ndërmerren nga Qeveria dhe mundësitë që ofron vendi ynë.

“Jam i bindur se ne mund të zhbllokojmë potencialin e rajonit. Ne mund të forcojmë demokracinë tonë dhe të nxisim një strukturë ekonomike e cila është e gatshme për të ardhmen. Si qeveri, ne mbajmë përgjegjësinë për të zgjeruar dhe rritur mundësitë për qytetarët tanë, jo për t’i pakësuar ato. Ne e kuptojmë formulën e suksesit: ajo mbështetet në ekonomitë e integruara, rregullat e standardet e përbashkëta dhe katër liritë që kanë vendosur Bashkimin Evropian si zonën më të madhe ekonomike në botë”, tha Kurti.

Të ngjashme