Kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar punën e Qeverisë së tij derisa ka folur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën. Aty ka thënë se shteti është tash më mirë “se që e gjetëm në pranverën e 2021-tës”, raporton Ekonomia Online.
Kurti është shprehur i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, madje ka thënë se pret rezultat edhe më të mirë.
Kurti ka lëshuar edhe një thirrje për anëtarët e partisë së tij që të mos garojnë mes vete. Ai ka thënë se nuk duhet të ketë garë me njëri-tjetrin, sepse kështu “i gjithë zinxhiri organizativ mund të pësojë”.
“Si Qeveri jemi më të përgatitur se kurrë kur flasim, bashkëbisedojmë e dëgjojmë qytetarët, duke mos pasur asnjë shkelje qeverisëse. Këtë sentiment të qeverisjes me organizatën duhet ta kenë edhe ministrat e zëvendësministrat. Duhet të jemi të përgatitur t’i kanalizojmë rezultatet. Duhet të kuptojmë që gara me njëri tjetrin nuk na shërben neve dhe qytetarëve”.
Ka përmendur edhe deputetët, duke thënë se duhet ta lexojnë situatën dhe idetë para se t’i futen garës zgjedhore.
“Të njëjtin mesazh për pikëvështrim duhet ta përcjelli edhe tek deputetët tanë. Pavarësisht miratimit të ligjeve e punës që është bërë ka pasur nganjëherë edhe mospajtime e ngecje të koncentruara më shumë te disa. Ja kemi borxh qytetarit ta pranojmë atëherë kur idetë nuk na përputhen, shpresoj qe kandidatët e deputetet e ardhshëm ta lexojnë situatën dhe idetë mirë para se t’i futen garës. Nuk mund të fitosh në një mënyrë derisa ta realizosh një qëllim të përbashkët për ta degraduar atë në një synim individual…. Transformimet e këtilla duhet të kritikohen e organizohen në organizatën tonë. Një reflektim stoik i brendshëm te gjithsecili prej nesh është i pritshëm dhe i domosdoshëm. Duke u përpjekur ta mashtrojmë tjetrin mashtrojmë vetëm vetveten”, ka theksuar Kurti.