Kurti ndryshon vendimet e ish-kryeministrave Mustafa e Hoti

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Qeveria ka ndryshuar vendimet e ish-kryeministrave Isa Mustafa e Avdullah Hoti, lidhur me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statutit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës.

Leonora Selmani dhe Minire Begaj i kanë ndërruar pozitat brenda Komisionit. Selmani që ishte anëtare, tani është emëruar kryetare e këtij Komisoni, ndërsa e Begaj nga pozita e kryetares, tani mbetet vetëm anëtare, raporton Ekonomia Online.

“Ky ndryshim bëhet me qëllim të tejkalimit të sfidave për realizimin e mandatit të këtij Komisioni, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, familjeve të tyre dhe për gjithë shoqërinë tonë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Ish-kryeministri Isa Mustafa e kishte emëruar Minire Begajn kryetare të këtij Komisioni sa ishte në krye të Ekzekutivit në vitin 2017.

Tre vjet më pas, Qeveria e Avdullah Hotit më 7 dhjetor 2020 e kishte ndryshuar dhe plotësuar këtë vendim, duke e zëvendësuar një anëtar të Komisionit prej vendimit të Qeverisë Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme