Dialogu me Serbinë është bërë tema kyçe dhe kryesore për kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, edhe pse gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se procesi i negociatave do të jetë dikush poshtë në listën e prioriteteve. Kurtit tashmë çdo muaj i vijnë për vizitë ndërkombëtarët të cilët po kërkojnë përshpejtim të negociatave me Serbinë.
Për gati dy vite kryeministri Kurti është duke e mbajtur barrën e dialogut mbi shpinë, megjithatë nënshkrimin final në rast të një marrëveshje me Serbinë do të jetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ajo që do ta vendosë.
Këtë e ka konfirmuar sot e para e shtetit në një konferencë për media, kur është pyetur nëse do të nënshkruante një marrëveshje finale e cila ka brenda Asociacionin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Osmani ka thënë se presidentja e jep vulën finale për marrëveshjet ndërkombëtare ose ato të cilat rafitikohen në Kuvendin e Republikës. Derisa ka shtuar se ajo nënshkruan vetëm marrëveshje të cilat janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Presidentja dekreton marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nënshkruhen ose dekretohen në Kuvend. Është autoriteti final që vendos rreth këtyre çështjeve duke qenë udhëheqëse e politikës së jashtme. Ajo që dua të konfirmoj është që do të nënshkruaj vetëm marrëveshje që janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani sot në një konferencë për media.
Javëve të fundit është parë një intensifikim i veprimeve ndërkombëtare përmes të cilave synohet përshpejtimi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Franca dhe Gjermania janë përfshirë në proces përmes nivelit më të lartë institucional. Përgjatë vizitës që kanë realizuar këshilltarët e Scholz dhe Macron në Prishtinë dhe Beograd kanë sjellë me vete edhe një propozim franko-gjerman në të cilin gjendet vullneti i Scholz dhe Macron për t’u marrë me procesin e negociatave në mënyrë më vendimtare.
Gjithë propozimi i tandemit Berlin-Paris vjen me qëllim të mbylljes së çfarëdo hapësire në të cilën do të mund të depërtonte Rusia në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në Prishtinë dhe Beograd ka qëndruar për vizitë edhe i Dërguari i Posaçëm i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar. Si asnjëherë më parë Escobar ka qenë i drejtpërdrejtë duke dhënë mbështetje për nismën franko-gjermane derisa ka treguar se gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani kanë biseduar edhe për modalitete të ndryshme të Asociacionit, marrëveshje për të cilën thonë se Kosova duhet ta implementojë.