Ekonomia Online
FUNDIT

Kurti në hapjen e ekspozitës së Afrim Spahiut: Jam edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij

Kurti në hapjen e ekspozitës së Afrim Spahiut: Jam edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Dancing with clouds” (Duke vallëzuar me re), të fotografit dhe profesorit Afrim Spahiu, e kuruar nga artisti Sislej Xhafa, e cila u hap në Pejë, raporton Ekonomia Online. Gjatë fjalës së tij, Kurti vlerësoi kontributin e Spahiut në fotografi dhe kinematografi, duke thënë […]

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Dancing with clouds” (Duke vallëzuar me re), të fotografit dhe profesorit Afrim Spahiu, e kuruar nga artisti Sislej Xhafa, e cila u hap në Pejë, raporton Ekonomia Online.

Gjatë fjalës së tij, Kurti vlerësoi kontributin e Spahiut në fotografi dhe kinematografi, duke thënë se përmes punës së tij është edukuar edhe vetë nga aspekti estetik.

“Duhet theksuar që profesor Afrim Spahiu është i njohur jo vetëm për fotografitë, por edhe për fotografitë në film. Pra, është i njohur për filmografi. Është i njohur për punën e tij me fotografi, me kinematografi. Dhe kemi diskutime bashkë të panumërta, e unë njëkohësisht, jo vetëm që jam kënaqur e gëzuar duke i parë punimet e tij, por gjithashtu edhe jam edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij”, tha Kurti.

Ai theksoi se ekspozita, përveç fotografive të Spahiut, përfshin edhe filmin dokumentar të regjisorit Besim Sahatçiu, “117”.

Kurti foli edhe për karrierën e gjatë të fotografit, duke vlerësuar se puna e tij dokumenton ndryshimet që sjell koha, por njëkohësisht ruan gjurmë të realitetit.

“Profesor Afrim Spahiu karakterizohet nga një lloj dokumentimi që transformimi që bën koha nuk është zhdukje e realitetit që transformohet. Pra, teksa rrjedha e kohës ndryshon thellësisht realitetin, në të njëjtën kohë ka diçka e cila ngelet. E ajo që ngelet në kuptimin artistik është pikërisht fotografia e jashtëzakonshme e profesor Afrim Spahiut”, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se Spahiu ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli dhe ka marrë çmime e mirënjohje të shumta, përfshirë çmimin për Veprën Jetësore “Bekim Fehmiu”.

“Ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli, pra nuk është bash i ri siç duket dhe ka marrë shumë çmime e shpërblime, ndër të cilat duhet theksuar çmimin për Veprën Jetësore ‘Bekim Fehmiu’, dhe janë mbi 25 filma në të cilët ka kontribuar, e tash aktualisht është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Arteve, ku përfaqëson filmin dhe fushën audiovizive”, tha Kurti.

Gjatë fjalës së tij, Kurti përmendi edhe një fotografi të Spahiut që e ka në zyrën e tij në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ta zëmë, në zyrën time në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje e kam një fotografi të profesor Afrim Spahiut. Natyrisht, është një arkitekturë e thepisur brutaliste dhe rrotull ca re të purpurta, me të cilat vallëzon shikimi ynë”, tha ai.

Kurti foli edhe për prejardhjen dibrane të fotografit, duke e cilësuar atë si një personalitet të jashtëzakonshëm.

“Mua më ka bërë përshtypje që është me prejardhje nga Dibra e unë nuk e njoh asnjë dibran që është njeri i zakonshëm. Njoh jo pak dibranë, po asnjëri nuk është i zakonshëm. E natyrisht, edhe profesor Afrim Spahiu është i jashtëzakonshëm e ju e dini se çka thuhet për dibranët. Ata i kanë bërë veç dy gjëra: Skënderbeun edhe e kanë themeluar Tiranën”, u shpreh kryeministri.

Në fund, Kurti falënderoi kuratorin e ekspozitës, Sislej Xhafën, për kontributin e tij në promovimin dhe mbështetjen e artistëve.

“Me këtë rast dua ta falënderoj edhe mikun tonë, edhe artistin e madh, po edhe artdashësin e paepur, i cili ndihmon artistët e tjerë, Sislej Xhafën. Faleminderit edhe njëherë që keni ardhur këtu dhe sa më shumë bukuri, Peja e di mirë se si ta bëjë këtë, natyrisht që jeta është më e këndshme”, përfundoi Kurti.

Të ngjashme