Kurti: Ne i bëmë katër hapa drejt tyre, PDK-ja asnjë

Prishtinë | 06 Tet 2026 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur kritika ndaj Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e ligjit për ish-krerët e UÇK-së. Ai tha se LVV ka bërë hapa drejt kësaj çështje ndërsa PDK asnjë. Ai gjithashtu tha se prioritet sot duhet të jetë zgjedhja e presidentit, raporton Ekonomia Online.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në burg në Hagë. Ata janë dënuar në shkallë të parë, ndërkohë sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje këtu, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet kuptuar dhe trajtuar me sinqeritet. Çështja atje do të marrë kohë, angazhim, e që besa do edhe shumë nerva, dhe nuk do të bëjmë kurrfarë mrekullie brenda natës pse votojmë një prej keq. Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. Ndërkaq, si për ta bërë edhe më të rëndë, ne me mosvetimin e presidentit sonte shkojmë brenda orësh në zgjedhje. Është paradoksale përveçse e dëmshme, të thuash se nuk ka temë më të rëndësishme se gjykata speciale dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, dhe ta dërgosh vendin në zgjedhje për president. Për prioritetet që i kemi dhe duhet t’i kemi, gjëja e parë që duhet ta bëjmë për të ecur përpara është heqja e pengesave imediate që i kemi të gjithë ne bashkë, sot dhe tani, dhe këtu, dhe të gjithë. E kjo është çështja e presidentit”, tha ai.

Kurti tha se nëse dështon tema e presidentit, do të ndikojë në çështjen e vazhdimit të procedurës për ish-krerët e UÇK-së.

“Sot këtu, për të gjithë, është çështja e presidentit. Gjykata Speciale është temë në horizontin tonë përpara, por sonte ne kemi temën e presidentit, që me papërgjegjësi mund të na errësojë këtë horizont, duke na çuar përsëri në zgjedhje të parakohshme Katër hapa i kemi bërë: e bëmë deklaratën e përbashkët, në Qeveri miratuam përgjigjen për nismën ligjore për projektligjin, e thirrëm seancën e djeshme me 40 nënshkrime për votimin e ligjit dhe e votuam me lexim të parë. Këto po i marrim si të mirëqena, por do të ishin të pamundura pa votën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ne i bëmë katër hapa drejt tyre, por PDK-ja nuk bëri asnjë hap drejt nesh”, tha Kurti.









Të ngjashme