Kurti në Oslo një ditë pasi paralajmëroi sulm nga Serbia, Çitaku e quan “marrëzi”

Prishtinë | 24 Dhj 2023 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, reagoi ndaj vizitës private të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, në Oslo të Norvegjisë, duke e kualifikuar si “marrëzi” shkuarjen e shefit të ekzekutivit në kryeqytetin norvegjez, posaçërisht në dritën e kërcënimeve të reja për sigurinë e vendit nga shteti serb.

Njëjtë e kualifikoi edhe lajmin se Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet në Kosovë – zyrtarisht i është bashkëngjitur frontit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht koalicionit të përbërë nga Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa Shqiptare (Lidhja Evropiane për Ndryshim) – kundër Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Nuk kam se si ta kualifikoj ndryshe përpos se si marrëzi. Një ditë pasi paralajmëroi në konferencë për shtyp sulmin e planifikuar të Serbisë kundër Kosovës, kryeministri Kurti vetë shkoi në Oslo për vizitë private e partia e tij hyri në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Kosova meriton më mirë”.

Kryeministri Kurti të dielën raportohet se udhëtoi drejt Oslos për ta kaluar festën e Krishtlindjes në gjirin e familjes, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht i është bashkëngjitur frontit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Të ngjashme