Pas vizitës tek familja e Heroit Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies së tij dhe homazheve tek varri i të ndjerit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizituan vendin e rënies së rreshterit Bunjaku, përkatësisht në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku në nderim të tij u zbulua tabela e rrugës që do të mbajë emrin “Afrim Bunjaku” sipas vendimit të mbledhjes së 221-të të Qeverisë.
Në deklarimin e tij para medieve, kryeministri Kurti potencoi se Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për të sulmuar Kosovën ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë, dhe ligjshmërisë.
“Plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë tonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, deklaroi kryeministri.
Gjatë vizitës në vendin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti ishte bashkë me policët që para një viti në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 u ballafaquan me paramilitarët e Radoiçiqit, të cilët ndanë detaje nga ballafaqimi me sulmin.
Kryeministri Kurti, shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderime të përjetshme ndaj policisë sonë për të gjithë punën, angazhimin dhe kontributin në sigurinë e vendit.