Disa karakteristika të zhvillimeve të fundit politike në Kosovë
1) Kurti në video-mesazhin e tij plot mllef dhe aspak të përmbajtur, ka bërë akuzën me ndjellakeqe dhe më të rrezikshme ndonjëherë, kur ka konstatuar se – ‘Ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione, sepse duan incidente’. – Pse nuk ka menduar Kurti se në cilëndo kohë kur Serbia do të nxit konflikte në veri, do ta citoj këtë fjali të Kryeministrit të Kosovës, për ti akuzuar shqiptarët. Pse s’ka menduar z. Kurti se kjo është thirrje për t’i legjitimuar ankesat e serbëve të veriut se shqiptarët bëjnë presion dhe duan që ‘ne të ikim nga këtu’. Pse s’ka menduar z. Kurti se kjo merret si thirrje zyrtare e Prishtinës që, rikthimin e forcave paralele në të gjitha segmentet në veri, e forcon dhe legjitimon më shumë se kurrë. Shembull tipik kur inati është më i madh se arsyeja. Albin Kurtit i mungon urtia politike.
2) Qeveria Kurti vazhdon të jetë shumë e përçarë e për rrjedhojë në asnjë mënyrë nuk mund të jetë efikase sa e si duhet për rrethanat e krijuara nëse nuk është e bashkuar. Nuk është e rastësishme që z. Kurti në video-mesazhin e tij të fundit në fjalinë e parë flet mu për atë që mungon, për unitet.
3) Zoti Kurti të shpeshtën e rasteve vazhdon ta kursej LDK-n nga kritikat, sepse i duhet pjesa e LDK-s të cilën ai e konsideron korrekte ndaj qeverisjes së tij, për të vazhduar me qeverisje. Pjesën tjetër të LDK-së vazhdon të mos e bëjë hesap ngjashëm si disa që injorojnë virusin që mund të shkaktoj shumë probleme.
4) Reciprociteti ndaj Serbisë vazhdon ta mbaj Kosovën jashtë nga agjenda euro-atlantike përkatësisht nga agjenda e Uashingtonit zyrtar për rajonin e Ballkanit. E frikshme për epokën në të cilën po hyjmë bashkë me virusin vdekjeprurës.
5) Qeverinë Kurti e ka shkarkuar Kuvendi i Kosovës me 82 vota. Tani Kurti me qeverisje plotësisht të përçarë (LV- LDK ) dëshiron që ta shpërbëj Kuvendin dhe ai të vazhdoj të qeverisë deri sa të konstituohet Kuvendi i ri.
6) Kundër Serbisë me reciprocitet, qasje të cilën e kundërshton shumë dhe vazhdimisht SHBA-ja. Në veri me marrëveshje me institucione të Serbisë të cilën e kundërshton partneri i saj kryesor LDK, Presidenti dhe krejt opozita. Marrëveshja me Serbinë nuk është dashur të bëhet e ditur me tupan veç nuk është dashur as të shqyhet tupani qëllimshëm që të mos dëgjoj askush për këtë marrëveshje.
7) Opozita dhe LDK (pjesa të cilën nuk e preferon z. Kurti) ka qenë korrekte me qasjen e amortizuar opozitare në përpjesëtim pragmatik me rrethanat e krijuara nga COVID19.
8) Sot kanë vdekur edhe dy qytetarë të Kosovës nga COVID19. Edhe sa duhet të vdesin që t’i shohim bashkë z. Kurti z. Thaçi dhe z. Mustafa. Nëse vazhdohet kështu, këto javë do të jenë më të turpshmet në historinë e politik-bërjes në Kosovë.