Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin elektoral të rradhës në Viti. Fjalën hyrëse në këtë tubim e mbajti deputeti Albin Kurti, i cili tha se me qeverisjen e Salih Salihut merr fund e keqja në Viti.
“Lëvizja Vetëvendosje! e do shtetin me sovranitet, kombin me bashkim, ekonominë me prodhim, institucionet me drejtësi e shoqërinë me barazi. Por, Lëvizja Vetëvendosje! e do edhe komunën me transparencë, shkollat me arsimim, ambulantat me shërim, infrastrukturën me ujësjellës e kanalizim, e rrugët me pastërti e gjelbërim”, ka thënë Kurti, duke shtuar se për gjitha këto duhen politikanë me ideale e qytetarë me Vetëvendosje!, duke thënë me tej se VV i ka të dyja këto.
Ai potencoi se në Viti janë ngatërruar nëntoka e mbitoka, me ç’rast tha se politika ka hyrë nën tokë me korrupsion, kurse kanalizimi del mbi tokë mu në mes të qytetit. E po u zotua se me qeverisjen e VV’së politika do të jetë mbi tokë, ndërsa kanalizimi nën tokë.
Kurti ka thënë se Vitia e ka shansin për ndryshim, e shansi e ka numrin 10, kurse emrin e ka Salih Salihu.
Shqipe Pantina fton që të votohen sa më shumë gra e vajza në listat e VV-së
Në tubimin e VV’së në Viti, ka bërë thirrje që të votohen sa më shumë gra e vajza nga VV në zgjedhjet e 22 Tetorit.
Ajo ka thënë se duke analizuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit, ka parë se aty ku pjesëmarrja e grave dhe vajzave në zgjedhje ka qenë me e madhe aty ka fituar Lëvizja Vetëvendosje!.
“Gratë dhe vajzat e kanë mundesuar ndryshimin. E në zgjedhjet lokale pjesëmarrja e grave dhe vajzave është edhe më e rëndësishme. Problemet me ujin e pijes, kualiteti i dobët në arsim e shëndetësi nuk i prekin vetëm gratë, por pasojat në shoqërinë tonë, ato i vuajnë më shumë”, ka thënë Pantina në Viti
Pantina më tej shtoi se vota për VV është votë për më shumë çerdhe, votë për shkolla më të mira e votë për shëndetësi më të mirë, duke ftuar që të votohet numri 10 dhe kandidati Salih Salihu për kryetar të Vitisë.