Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ia di emrin Agon Musliut, 26-vjeçarit i cili vdiq tragjikisht të dielën e 3 majit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Në një konferencë të përbashkët për media me Arben Vitinë, ministrin e Shëndetësisë, të premten, Kurti iu referua me emrin Arton, viktimës 26-vjeçe nga Gjilani.
“Ia kisha kaluar fjalën ministrit Vitia, lidhur me akuzat për ngjarjen tragjike të vdekjes së të riut Arton Musliu”, u shpreh Kurti të premten, teksa po ia kalonte fjalën ministrit të qeverisë së tij, Arben Vitisë, për të komentuar akuzat e presidentit Thaçi ndaj qeverisë lidhur me rastin e vdekjes së Agon Musliut.
Gjatë ditës, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, duhet të sqarohen për rastin tragjik të vdekjes së 26 vjeçarit Agon Musliu në karantinë te Qendra e Studentëve.
Por, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën për media të së premtes, ka thënë se me këtë çështje janë duke u marrë organet kompetente.
“Ashtu siç kemi deklaruar më herët kjo çështje tashmë është në hetuesi dhe do t’ia lëmë organeve kompetente që të merren me këtë rast”. Insajderi.