Kurti pas takimit me senatorët: Dialogu pas 24 shtatorit s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë

Prishtinë | 13 Tet 2023 | 11:05 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch është diskutuar për agresionin e 24 shtatorit.

Kurti shtoi se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Mbi të gjitha dëshiroj të falënderoj ata për mbështetjen e fortë ndaj Kosovës, veçanërisht pas sulmit të 24 shtatorit. Siguria në Kosovë ishte pika kryesore e temës sonë dhe ua prezantova senatorëve të dhënat e freskëta pas sulmit të 24 shtatorit”.

“Përfshirja e Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa për mbështetjen e sulmeve terroriste në Banjskë. Kemi dëshmi se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara, përmes një themelimi të një korridori për furnizim të armëve në veriun e Kosovës”.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë,

Fillimisht, dëshiroj të falënderoj senatoren Jeanne Shaheen nga New Hampshire, dhe senatorin Peter Welch nga Vermont, që kanë ardhur në Kosovë dhe kanë shprehur solidaritetin e tyre me vendin tonë, popullin tonë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Mbi të gjitha, dëshiroj t’i falënderoj për historinë e tyre të gjatë të mbështetjes për Kosovën. Sidomos pas sulmit, kjo mbështetje është bërë edhe më e rëndësishme për sigurinë e vendit tonë.

Siguria e Kosovës, vërtetë, ishte tema kryesore e bisedës sonë. Senatorëve ua prezantova informacionet më të fundit se çfarë dimë për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit, në të cilin u vra heroi ynë i rënë, Afrim Bunjaku. Provat tona konfirmojnë, pa asnjë dilemë, se përfshirja e shtetit serb ka ndodhur në të paktën katër shtresa, përkatësisht, Presidenca, Shërbimi i inteligjencës, Ministria e Mbrojtës dhe ushtria serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë. 

Po ashtu, kemi prova të cilat i kemi ndarë me partnerin, që sulmi kishte qenë pjesë e një plani më të madh për të aneksuar tërë veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar ndaj 37 pozicioneve të ndryshme. Kjo do të pasohej nga themelimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin e vazhdueshëm të armëve dhe trupave në veri të Kosovës. 

Nuk mund t’ua kthejmë Afrim Bunjakun familjes së tij dhe shtetit të tij. Por, duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë — sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — për të bërë gjithçka brenda mundësive tona, për të parandaluar sulme të tjera në të ardhmen, si dhe përpjekje të mëtejshme për aneksimin e dhunshëm të veriut të Kosovës. Kjo kërkon siguri për Kosovën dhe dënim për Serbinë

Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.

Kjo, sigurisht, nuk qëndron dhe kurrë s’do të ndodhë. Unë jam kryeministri i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të të gjitha komuniteteve të vendit tonë. Prandaj, gjithë këto përpjekje destabilizuese duhet të ndalen tash. Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse. Përndryshe, sulmet e saj dhe sjelljet e saj agresive do të vazhdojnë të përsëriten prapë.

Po ashtu, i informova senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mundet thjesht të vazhdojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk mund të kthehemi në “punë të zakonshme” në status quo ante. Kapitulli i radhës i dialogut duhet tash që t’i marrë parasysh veprimet agresive të Serbisë dhe qëllimin e saj të zbuluar për ta aneksuar veriun e Kosovës. 

Përveç sanksioneve për parandalimin e agresionit të mëtejshëm nga ana e Serbisë, disa hapa bazikë duhet të ndërmerren, që dialogu të ketë bile një shans për të qenë i suksesshëm. Dhe besoj se këtu është me rëndësi primare që të kemi një qasje të balancuar, duke përfshirë notifikimin dhe dënimin e çdo shkeljeje, çdo prishjeje të Marrëveshjes Bazike që kemi arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe të aneksit të zbatimit më 18 mars të këtij viti.

Është më urgjente tash se kurrë, që Serbia të ndalojë së thëni se nuk do ta njohë Kosovën e pavarur, të zmbrapset publikisht nga refuzimi i saj i pjesëve të Marrëveshjes Bazë të cilat kanë të bëjnë me njohjen de fakto të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kjo është absolutisht e domosdoshme për sigurinë e vendit tonë tash e tutje. 

Edhe një herë, falemnderit senatorëve për bisedën tonë konstruktive. Mezi po pres të bashkëpunoj me ta, si dhe me Administratën Biden, për të garantuar sigurinë e Kosovës dhe për t’iu dhënë fund menjëherë akteve të mëtejshme potenciale të agresionit dhe përpjekjeve destabilizuese. 

Ju falemnderit.

Të ngjashme