Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, kanë degustuar verërat në festivalin tradicional të vjeljes së rrushit në Rahovec, “Hardh Fest”, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të këtij festivali është vendosur edhe panairi ku janë prezantuar rrushi dhe prodhimet e tij, nga vreshtarët e kësaj komune.
“Ka shumë verëra të mira, nuk mund ta zgjedh vetëm një. 100 mijë veta e vizitojnë ‘Hardh Festin’ dhe unë i inkurajoj të gjithë që të vijnë sonte, ose nesër apo pasnesër mbrëma. Duke ardhur këtu, ne i mbështesim edhe vreshtarët edhe verëtarët tonë. Nga 8 milionë litra verë që prodhohen, 7.8 milionë janë për eksport. Këtu ka ndikuar shumë Ministria e Bujqësisë, e cila i ka mbështetur me 1050 euro për hektarë vreshtarët, ndërkaq verëtarët i ka mbështetur me 8 centë për litër”, ka thënë kryeministri.
“Hardh Fest” ka filluar të premten, me 6 shtator dhe do të vazhdojë edhe në vikend, me 7 dhe 8 shtator, me aktivitete të ndryshme e interesante.