E përditshmja gjermane “Der Spiegel” në një artikull të botuar sot shkruan se të gjithë kanë frikë nga Albin Kurti: Establishmenti i korruptuar politik në Kosovë, ekonomia, pakica serbe – dhe Perëndimi, transmeton Zeri.
Tani nacionalisti i majtë dëshiron të ngjitet në pushtet.
Kush është ky “rebel” politik
Për një kohë të gjatë, Albin Kurti ka refuzuar të përballet me kufizimet e ditës së një politikani.
Ai preferonte imazhin e një revolucionari studentor. Për shembull, kravatat nuk ishin rreth qafës së tij deri kohët e fundit.
Albin Kurti, 42-vjeç, rebel politik i Kosovës dhe kreu i lëvizjes së protestave nacionaliste të krahut të majtë Vetëvendosje, ka përshtatur rrobat e tij sepse ai dëshiron të bëhet Kryeministër i vendit të tij.
“Unë jam një politikan në Kosovë që ka më së shumti votues. Njerëzit i besojnë partisë sime dhe mua për të krijuar rend dhe ligj”, thotë Kurti për gazetën gjermane, transmeton “Zeri.info”.
Kososa mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 qershor: “Koalicioni i komandantëve” i përbërë nga ish-udhëheqës të UÇK-së, nuk fitoi shumicën dërmuese. Por aleanca e PAN-it fitoi vetëm 34 për qind të votave dhe kjo shifër nuk është e mjaftueshme.
Lëvizja protestuese e Albin Kurtit, Vetëvendosje, e cila arriti të fitojë rreth 28 për qind, doli partia më e fortë individuale e elektorati aktual.
Ajo ishte në gjendje të dyfishojë votën e saj kundrejt zgjedhjeve të qershorit 2014, kurse vetë Kurti mori më shumë vota midis të gjithë politikanëve.
Nëse komandantët e luftës Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga aleanca e tre partive PDK, AAK dhe Nisma, nuk janë në gjendje të gjejnë partnerë të koalicionit, Albin Kurti mund ta formojë qeverinë.
Por për shumëkënd kjo shfaq frikën:
– Për institucionet politike, sepse ai dëshiron të pastrojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
– Për përfaqësuesit ekonomikë, sepse ai është i matur me idetë socialiste-egalitariste.
– Për misionet e OKB-së dhe BE-së në Kosovë, sepse i denoncon ato si “administrim kolonial”.
– Për minoritetin serb sepse konsiderohet një nacionalist.
“Çdo gjë është e gabuar”, thotë Kurti në bisedë me Spiegel.
“Pamja jonë negative është një projeksion i regjimit të korruptuar në vend, sepse ne jemi për atë që në Kosovë të mbizotërojnë drejtësia demokratike, ligjore dhe sociale”.
Partia e tij gjithashtu nuk kishte probleme me pakicën serbe, por ishte thjesht kundër faktit se Serbia të kishte fuqi në territorin e Kosovës.
“Ne nuk jemi kundër misioneve ndërkombëtare në Kosovë , thjesht duam të trajtohemi si shtet i pavarur, sovran, sidomos nga BE-ja, askush nuk duhet të ketë frikë nga Vetëvendosje dhe unë”.
I dënuar me 15 vjet burgim
Kurti, i cili tani ofron pamjen e një burrë shtetasi, është një personalitet me të ardhme të ndritshme, i politizuar në lëvizjen e gjatë të rezistencës jo të dhunshme të shqiptarëve në Jugosllavi.
Si aktivist studentor, ai organizoi protesta kundër regjimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq në vitet 1990 dhe më pas u angazhua në përfaqësimin politik të Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së.
Në vitin 1999 ai u dënua me 15 vjet burgim në një gjyq të çuditshëm dhe vetëm një vit pas rënies së Millosheviçit u lirua nga presioni ndërkombëtar.
Ai ishte bashkëthemelues i Vetëvendosjes në vitin 2004, idetë e të cilit për demokraci themelore, shoqëri civile, republikanizëm dhe nacionalizëm shqiptar çojnë në një bashkëjetesë tërësisht kontradiktore.
Vetëvendosja fitoi famë pas protestave të shumta dhe të dhunshme kundër administratës së përkohshme të OKB-së të Kosovës dhe misionit ligjor të BE-së në Kosovë.
Misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë kohë që kanë humbur kredibilitetin për shkak se ato janë duke u lidhur me elitën e korruptuar në vend dhe për shkak se në vitet e fundit miliarda euro kanë hyrë Kosovë pa ndikuar në mirëqenien e popullit – kurse Kosova deri tani është një nga vendet më të varfra në Evropë.
Jo vetëm kaq, në vitet e fundit, Vetëvendosja u bë e vetmja parti politike e besueshme në vend në sytë e shumë shqiptarëve të Kosovës.
Partia në fjalë nuk ishte deri më tani pjesë e pushtetit qeverisës në Kosovë.
Në Prishtinë, ajo fitoi zgjedhjet komunale në 2013 – dhe që atëherë ka treguar se është në gjendje të pastrojë korrupsionin dhe nepotizmin.
Paralajmërim kundër “bosnjzimit të Kosovës”
Në rastin e administratorëve perëndimor të Kosovës, nga ana tjetër, Kurti dhe Vetëvendosje konsiderohen si protestues nacionalistë.
Në vitet e fundit, ata kanë protestuar me dhunë, për shembull, me gaz lotsjellës në parlament, kundër dialogut të diskutueshëm të paqes Kosovë-Serbi, që zhvillohet në Bruksel pas dyerve të mbyllura dhe me përjashtimin e publikut kosovar.
Kështu, Vetëvendosja është rreptësisht kundër një statuti të posaçëm për pakicën serbe, siç është “Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës”, i cili si institucion autonom do të kishte fuqi kushtetuese të vetos.
Kjo do të çonte në bosnjzimin e Kosovës, paralajmëron Kurti, duke iu referuar ndarjes strikte etnike të Bosnjë-Hercegovinës, e cila gjithnjë e më shumë po e degradon shtetin.
Por frika e Vetëvendosjes është e pajustifikuar – thonë njohës të këtyre çështjeve në vend.
“Demokratizimi i brendshëm do të ishte gjë e mirë”, thotë Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ekonomisti Andrea Lorenzo Capussela, i cili ka punuar në administratën civile ndërkombëtare të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011, është një kritik i ngjashëm i situatës së korruptuar dhe jodemokratike.
“Megjithatë, Vetëvendosje duhet të dëshmojë se e sheh pakicën serbe si një pjesë legjitime të Kosovës dhe duhet të përfundojë me margjinalizimin serioz të serbëve”, thotë Capussela.
Albin Kurti është në të vërtetë një kandidat i përshtatshëm për një projekt të tillë – sepse tashmë ai e ndjeu nacionalizmin e disa prej bashkatdhetarëve të tij: Kur ai u martua me miken e tij norvegjeze Rita Augestad Knudsen tre vjet më parë, në rrjetet sociale pasuan komentet shoviniste dhe raciste për Kurtin për shkak të “martesës jo-shqiptare”.