Kurti për ligjin që Gjykata e shpalli anti-kushtetuese: Unë besoj që ka qenë i mirë

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Ligji i hartuar nga Qeveria e Kosovës për Këshillin Prokurorial, të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtetuese, për kryeministrin Albin Kurti ka qenë ligj i mirë.

“Unë besoj që ai projektligj e që është bërë ligj ka qenë i mirë, sepse kemi nëvojë për reforma në drejtësi. Unë besoj që ka qenë i mirë. Gjykata Kushtetuese nuk po beson që ka qenë i mirë ose i drejtë”, tha Kurti.

Kurti, në një intervistë për Radiotelevizionin Dukagjini, është pyetur edhe për Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku flitet për “korrupsion serioz” në institucionet qeverisëse dhe për skandalin financiar ku dyshohet të jetë i përfshirë Martin Berishaj, amabasador në Kroaci.

“Është thënë që korrupsion ka në shumë zyrtarë, tash thotë disa zyrtarë”, tha Kurti, duke komentuar Raportin e DASH-it dhe duke shmangur pyetjen.

Ai ka folur edhe për skandalin financiar në Slloveni ku dyshohet të jetë i përfshirë Martin Berishaj, rast për të cilin shefi i qeverisë tha se është “fushatë e orkestruar” kundër tij.

“Ai [Martin Berishaj] e ka dhënë shpjegimin e vet dhe po e pret procesin të kryhet. Me këtë fushatë të egër që po zhvillohet kundër Martin Berishajt në Kosovë, në Serbi dhe në Slloveni… Shikoni kjo është një fushatë e madhe ku është edhe Serbia brenda”, tha Kurti.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador.

Të ngjashme