Kryeministri Albin Kurti, të enjten do të takohem me komandantin e KFOR-it, Michele Risi pasi ka njoftuar kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani për marrëveshjen “sekrete” të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, presidentit aktual, raporton Ekonomia Online.
Kurti, në një konferencë për media, ka deklaruar se presidenti Thaçi, sa ishte në krye të Qeverisë e ka fshehur marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë në vitin 2013.
“Dje u kam dërguar një letër zonjës Vjosa Osmani, por edhe presidentit Thaçi dhe kryeprokurorit Lumezi, që ka të bëjë me një marrëveshje sekrete të nënshkruar me 19 prill 2013″.
“Atë ditë nuk kishim një marrëveshje por dy, një marrëveshje mes ish-kryeministrit Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq, dhe një zotim lidhur me FSK-në e cila pa dakordim paraprak nuk do të shkoj në veriun e Kosovës pa dakordim paraprak me KFOR-in. Për ne është shumë e rëndësishme të marrim vesh kush e ka kërkuar këtë, nuk besojmë që Brukseli e ka kërkuar, por Serbia”.
Kurti tha se është për dakordim në politikën e jashtme me presidentin Thaçin, por që dialogun me Serbinë do ta udhëheqë vet ai.
“Jam përpjekje ta takoj presidentin Thaçi të dakordohemi, ende jam interesuar të takohemi që në politikë e jashtme të mos kemi kakofoni. Dialogun me Serbinë do ta udhëheqë unë si kryeministër, unë vazhdoj të insistoj që duhet të jemi një zëri me presidentin”.
“Ky shkëmbim i ish-sekretarit Rassmusen, fshehja e një marrëveshje të tillë konsiderojmë që është shkelje flagrante me të cilin duhet të merren organet e drejtësisë. Nesër kam takim me komandantin e KFOR-it”.
“Reciprociteti nuk është për hakmarrje, por është për barazi, gjëja më normale dhe më e natyrshme”, tha ai, raporton EO.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet e mundshme kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill të vitit 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në letrën e Kurtit drejtuar Osmanit thuhet se “përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”.
Kurti ka deklaruar se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit “ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e Sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i Presidentit]”.