Kurti për rastet e dhunës në familje: Kjo është shqetësuese për të gjithë ne si shoqëri

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot mbajti takim me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u.d. të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, Kryeshefen Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, znj. Edi Gusia, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve,Riza Shillova dhe Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Skender Çoçaj. 

Takimi me këta akterë relevantë ishte i natyrës konsultative, si rrjedhojë e shqetësimeve të ngritura së fundmi në lidhje me numrin e madh të rasteve të dhunës në familje dhe përdhunimeve të shtuara. 

Me ardhjen e pandemisë, është vënë në dukje një rritje e konsiderueshme e këtyre rasteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo është shqetësuese për të gjithë ne si shoqëri, andaj sot diskutuam për nevojën e menaxhimit sa më të mirë të kësaj situate. 

Qeveria është e përkushtuar që të punojë në ngritjen e përgjegjësisë institucionale në lidhje me adresimin e rasteve të tilla. 


Të ngjashme