Kurti “përfshihet” edhe në Maqedoni të Veriut, Vetëvendosja zyrtarisht pjesë e opozitës shqiptare

Prishtinë | 24 Dhj 2023 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka thënë se prej sot opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut i shtohet edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Mexhiti thotë se Vetëvendosja do të jetë pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim.

“Do të thotë nga sot, LEN përbëhet nga katër parti politike. Do të thotë në këto 4 është edhe Vetëvendosja dhe tashmë edhe programin e punojmë bashkërisht, kjo zyre është e përbashkët edhe fushata do të jetë e përbashkët dhe do të jenë pjesë e e listave parlamentare, do të thotë do të jenë të përbashkëta, do të ketë anëtar, përfaqësues të Vetëvendosjes”, tha Mexhiti.

Këshilltari i Albin Kurtit për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku sot tha se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë shtylla e katërt e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përcjell “TV21”.

Qoku tha se do të kontribuojnë për ndryshim politik në Maqedoninë e Veriut, bashkë me Lëvizjes Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa.

“Unë sot jam këtu për të inicuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për të sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes të këtij regjimi që është në RMV. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, theksoi Qoku.

Vetëvendosje ishte përfshirë edhe në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri, ku siç thoshte synonte ta rrëzonte “regjimin e Edi Ramës” por kishte pësuar fiasko, duke marë vetëm disa qindra vota.

Të ngjashme