Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula, në 28-vjetorin e rënies së tyre.
Përmes një postimi, Kurti ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për katër luftëtarët e lirisë, të cilët u vranë më 10 gusht 1998 gjatë luftimeve me forcat serbe në rajonin e Junikut.
“Bekim Berisha – Abeja nga Graboci i Pejës, ishte 32 vjeçar; shoku i tij i luftës, Bedri Shala, nga Gjurgjica e Drenicës, ishte 29 vjeçar; Elton Zherka nga Gjakova ishte 20 vjeçar, nëntë ditë pa u bërë 21 vjeçar; sikur shoku i tij Përmet Vula gjithashtu nga Gjakova dhe që gjithashtu ishte vetëm 20 vjeçar”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se këta luftëtarë, të rreshtuar dhe të betuar si ushtarë të UÇK-së, u përjetësuan në kujtesën e kombit shqiptar dhe në historinë e Kosovës.
“Uniforma e UÇK-së i uniformoi vullnetet e këtyre katër luftëtarëve të lirisë, që duke luftuar deri në vdekje për një kauzë aq të drejtë çfarë ishte lufta për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese, u përjetësuan në kujtesën e kombit shqiptar dhe në historinë e Kosovës”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Kurti ka shprehur nderimin për të gjithë dëshmorët e kombit.
“Lavdi luftëtarëve të lirisë Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka përfunduar Kurti.