Kurti: Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 10:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para kabinetit të tij qeverisës, ka folur për punën e qeverisjes për këta nëntë muaj, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se që nga marrja e mandatit kanë dëshmuar vendosmëri ndaj grupeve kriminale.

Ai ka folur edhe në lidhje me ngritjen e Kosovës për 17 vende në Indeksin e Percepsionit të Korrupsionit që publikohet çdo vjet nga organizata Transparancy International.

Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës tha se kjo i inkurajon që të punojnë edhe më tutje në luftën kundër korrupsionit.

“Në fushën e luftimit të kundër krimeve ekonomike, korrupsionit dhe pasurisë janë regjistruar 339 raste, janë arrestuar 260 të dyshuar dhe janë ngritur 300 kallëzime penale ndaj 736 personave të dyshuar. Vlerësimi pozitiv nga ‘Transparency International’ na inkurajon në rrugën e vazhdueshme drejt luftimit të korrupsionit. Jemi të vetëdijshëm se kjo është një rrugë e vështirë, e gjatë dhe se duhet shumë punë”, ka thënë Kurti.

Më tutje kryeministri deklaroi se ka qenë zotimi i Qeverisë lufta e pakompromis ndaj dukurive të këqija shoqërore.

Kurti tha se populli nuk i do të korruptuarit dhe se qeveria do t’i shërbejë popullit.

“Ne nuk do të ndalemi asnjëherë sepse ishte zotimi ynë për luftë të pakompromis ndaj të keqes shoqërore që mori besim historik të qytetarit dhe solli ndryshimin e madh. Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit. Me beteja të vogla por të vazhdueshme do të triumfojmë në vendosjen e drejtësisë, rendit dhe ligjit, saherë dhe kudo që ato mungojnë. Qe Kosova sa më shpejtë të renditet në radhitjen globale të shteteve të sigurta, transparente dhe pa korrupsion”, tha ai.

Kurti në mbledhjen e qeverisë ka thënë se masat e rekomanduara të IKSHPK-së janë arma e vetme për luftën ndaj COVID-19.

“Numër kaq të lartë të rasteve pozitive në ditë nuk kemi pasur që nga muaji gusht, gjendja është e rënduar edhe tani. Ky numër i madh ngrit rastet e hospitalizuara. Të gjithë e dijmë mirë gjendjen dhe kushtet në spitalet tona. Nga COVID humbëm 3 mijë e 2 qytetarë. Qëllimi ynë kryesor është të shpëtojmë jetë ne duhet të kujdesemi që ta izolojmë këtë virus ashtu që të mos izolohemi ne nga virusi. Vaksinimi dhe zbatimi i masave të rekomanduara nga IKSHPK janë të vetmet armë tona në luftën ndaj këtij virusi. Vlerësimet shkencore i paraprijnë çfarëdo vendimi politik a qeveritar. Ju bëj thirrje që të vaksinoheni dhe ta merrni dozën e tretë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Të ngjashme