Kurti poston selfie me ish-deputetët e tij, Haradinajt ia përmend Demarkacionin

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Edhe Vetëvendosje, si partitë tjera ka publikuar një selfie të ish-deputetëve pas shpërndarjes së Kuvendit.

Kryetari i saj, Albin Kurti në postimin e tij ka thënë se tani po shkon qeveria e borxhlinjve.

Sipas tij, Kosova nuk e përballon dot një Qeveri e cila rehaton sipas tij militantët e vetë, dhe që ka deficit tregtar.

Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit

Pasi ra qeveria, u shpërnda edhe Kuvendi. Urime! Tash kthehemi te qytetarët, te burimi i sovranitetit, për zgjedhje të lira e demokratike, për legjitimitet të freskët për institucionet, për qeverisje të mirë për qytetarët. Kjo ish qeveri u pat sajuar mezi, plot tre muaj pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, me shumicë minimale prej vetëm 61 deputetëve. Dhe, u mbajt në këmbë mezi, si qeveri e pakicës, larg edhe shumicës minimale të domosdoshme. Në njërën anë, kjo ishte qeveria më e madhe e pasluftës, me 5 zëvendës kryeministra, 21 ministra e 80 zëvendës ministra, kurse, në anën tjetër, kryeministri kishte dyfish më shumë parti në koalicionin qeverisës sesa deputetë të partisë së tij në Kuvend. Kjo nuk ishte as e drejtë dhe as e shëndetshme, prandaj nuk patëm as shtetndërtim demokratik dhe as zhvillim ekonomik. Dy vjet më vonë, shteti i Kosovës është edhe më i kapur edhe më i lodhur.

Republika e Kosovës nuk e përballon dot edhe një qeveri tjetër të madhe që rehaton militantët e kushërinjtë, që e ka deficitin tregtar më të madh sesa buxhetin e shtetit, që rrit me shpejtësi marramendëse borxhin publik dhe me sasi enorme deficitin buxhetor, që e diskrediton e delegjitimon shtetin si tatimmbledhës. Sepse, cili është kuptimi të thuash që rritja ekonomike është 3% apo 4% kur shumëfish aq rriten borxhi e deficiti? Cili është kuptimi që qytetari të paguajë tatime kur për çdo ditë ka skandale publike të korrupsionit qeveritar?


Qeveria nuk ka para të vetat. Buxheti i shtetit është borxhi që qeveria ia ka popullit. Mirëpo, kjo qeveri ishte borxhli i keq: i mori paratë por nuk e dha shërbimin për to.

Bruto Produkti Vendor për kokë banori në muaj në Kosovë nuk është as 300 euro. I gjithë buxheti për drejtësinë në Kosovë (prokurorinë, gjykatat, Akademinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues) ishte diç mbi 50 milionë euro, pra më pak sesa që ia falën Bechtelit, e për çka prokuroria ka filluar hetimet.

Qeveria e ardhshme nuk duhet të merret me vendime të mëdha si puna e demarkacionit ‘Meha’ me Malin e Zi, që dha tokë për viza e të cilat s’i morëm, por, të merret me punë të mëdha, si psh.: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, sjellja e investimeve në ekonomi nga mërgata dhe investimeve të huaja, shpenzimet kapitale të jenë të përqendruara në punësim të rinisë e jo në asfaltim të arave, ndërmarrjet publike qendrore të ristrukturohen e të menaxhohen mirë që të mos operojnë me humbje si tani, të përmirësohet cilësia e arsimit dhe edukimit e të bëhet lidhja e tyre me ekonominë dhe tregun e punës, të rregullohen spitalet nëpër Kosovë si QMF-të në Prishtinë nga ish drejtori Arben Vitia etj. etj.

Sot e patëm mundësinë e mundësisë. E patëm mundësinë e neve deputetëve të Kuvendit që t’ia japim mundësinë qytetarëve të Republikës për të zgjedhur legjislaturë të re për qeveri të re. E bëmë. Urime të gjithëve! Qytetarët janë gati për ndryshimin e nevojshëm si kurrë më parë.

Të ngjashme