Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar të dielën në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ka mirëpritur bashkatdhetarët e iu ka treguar çka po bën Qeveria e tij, por edhe kompanitë publike, për ta.
Gjatë pritjes së bashkatdhetarëve, Kurti ua prezantoi edhe pakon mobile të Valës, e njohur si “Pako e Diasporës” për të cilën tha se mërgimtarët mund ta blejnë në hapësirat e aeroportit.
“Gjithashtu, Qeveria jonë ka marrë vendim që i inkurajon bashkatdhetarët tanë të angazhohen për 6 muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të programit të ‘Diplomacisë Qytetare'”, ka shkruar Kurti.
Tutje, Kurti ripërsëriti vendimin e qeverisë për rimburësimin e policës kufitare, për të cilën tha se pasi të paguhet online, rimburësohet plotësisht.
“Nga lehtësimet shtesë me e-Kosovën për nxjerrjen online të certifikatave të gjendjes civile, të ekstraktit të lindjes, të certifikatës së martesës etj. përfitojnë të gjithë”, shkroi Kurti.