Kurti pret në takim kryediplomatin gjerman

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 16:52 | Nga Erdonitë Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, raporton Ekonomia Online.

Heiko Maas, ka mbërritur në ora 14:00 aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, për vizitën e tij zyrtare, ku është pritur nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz. Para takimit me Kurtin, kryediplomati gjerman është takuar me presidenten Vjosa Osmanin. Më pas të dy kanë mbajtur konferencë për medie.

Përmes një komunikate dërguar për medie, Kurti ka treguar se në këtë takim Maas konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Ministri gjerman ka uruar kryeministrin Kurti me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re.

Gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime, dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë.



Të ngjashme