Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), në të cilën u diskutua faza finale e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti tha se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë konsensus më të gjerë politik e shoqëror, që nuk ka qenë deri tash, raporton Ekonomia Online.
“Nuk mund të lejojmë që dialogu me Serbinë të na rrëmbejë agjendën shtetërore. Qeveria duhet të intensifikojë dialogun e brendshëm me serbët, kjo është tejet e rëndësishme. Është gabim nëse ne kritikojmë më tepër Brukselin sesa ta kundërshtojmë Serbinë. Beogradi qartazi kërkon bosnjëzimin e Kosovës. Bosnja është bosnjëzuar duke kërkuar ndarje. Edhe në Kosovë kërkohet ndarja. Kosova i ka tri leva, tregu me Serbinë, varësia e Serbisë nga Kosova për t’u anëtarësuar në BE”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, prioritet për Kosovën duhet të jetë bashkimi i Mitrovicës, kjo nuk mund të krahasohet me ulësen në OKB.
“Fqinjësi e mirë do të thotë secili në shtëpi të vet. Koncepti i normalizmit ka kollapsuar sepse Beogradi, Prishtina e Brukseli nënkuptojnë ndryshe normalizimin. Brukseli është përpjekur të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë derisa vetë nuk ka qenë e normalizuar. Kosova ka qenë më shumë temë sesa palë, na u vu fusnota, pastaj Zajednica. Duhet të ndodhin dy rrafshe paralele për dialogun. Dialog i brendshëm para dialogut me Serbinë dhe dialog me Brukselin para dialogut me Serbinë. Serbia na ka borxh shumë, nëse ti nuk e përmend borxhin, normalizimi do të thotë falje e borxheve”, shtoi Kurti.