Kurti priti në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 19:05 | Nga Ekonomia Online

Sot, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, pritën në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.


Së pari, Kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 si dhe mbi vendimet e fundit për lehtësimin gradual të masave. Këto vendime kanë për qëllim rihapjen e ekonomisë, e cila sikurse shëndeti publik është rrezikuar e dëmtuar nga pandemia.


Palët diskutuan për situatën aktuale politike në Kosovë, gjersa presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.


Ambasadorët shprehën nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend.

Të ngjashme