Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore nuk e cenon pavarësinë e pushteteve. Ai tha se ligji përcakton kthimin e pasurisë te pronari legjitim, Republika e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kurti në seancën plenare ku po diskutohet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se për dy dekada ka sunduar paligjshmëria dhe rritja e kriminalitetit.
“Ka vite që jemi pajtuar të gjithë që korrupsioni ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm. Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria. Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetin janë pasuruar. Byroja Shtetërore do të jetë në funksion të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që i mundëson konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”.
Kurti theksoi se përmes këtij projektligji “në vendin tonë nuk do të dominojë më parulla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’”.
Kryeministri Kurti i ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votohet ky projektligj.
“Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë dhe miratimi i këtij projektligji na hap rrugë për të vepruar në pajtim me zotime e dhëna para qytetarëve”, tha Kurti.