Kurti proklamon fitoren: Do t’i marrim 50% bashkë me Vjosa Osmanin

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 22:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i VV-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i bindur se partia e tij dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do t’i marrin më shumë se 50 për qind të votave, në zgjedhjet e radhës në Kosovë.

“Do të bëjmë çmos që t’i kemi 50 për qind e më shumë. Besoj që është e realizueshme ne bashkë me z. Osmani. Ama, më duhet ta them edhe një gjë: Jemi në hall, me kënd të bësh koalicion”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se njëherë “ka bërë koalicion me këta”.

“Çka janë këta njerëz që çojnë mesazhe: Dola prej koalicionit unë, s’po mund ta mbaj presionin. Çfarë të bësh me këta njerëz”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i bindur që në zgjedhjet e ardhshme, partia e tij do ta dyfishojë numrin e votave.

“Në fund unë besoj që do të dyfishohet rezultati i 6 tetorit dhe këtë dyfishim nuk e mendoj vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe për kryeparlamentaren Osmani. Tash varet edhe nga forma e angazhimit të saj, por në parim populli dëshiron që 6 tetorin ta konfirmojë dhe ta dyfishojë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se partia e tij e ka kaluar LDK-në të 17 nëntorit të vitit 2001 në zgjedhjet e asokohshme, kur Lidhja Demokratike i fitoi rreth 47 për qind të votave.

“46.2 për qind i kanë pasur dhe ne sipas sondazheve i kemi kaluar. Në sondazhin më të dobët për neve jemi 48 për qind. LDK-në e paraluftës nuk e kemi kaluar, por LDK-në e pasluftës ne e kemi kaluar. E për këtë LDK-në e sotme, kjo është e pallogaritshme”, ka thënë ai.

Të ngjashme