Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Brezovica ku qëndroi për vizitë ka numëruar disa prej arritjeve në njëvjetorin e qeverisjes.
Ai mori pjesë në aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë.
Kurti po ashtu u pyet edhe për çmimin e biletës për ski-lift, nëse i është dukur shtrenjtë çmim ky që ishte 4 euro.
“Për mua nuk është shtrenjtë se nuk e kam pagën e vogël, por besoj që se ajo që ofrohet këtu e bën çmimin jo të shtrenjtë”, tha kryeministri.
Kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji, përmes së cilit u sigurohet fëmijëve, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës qasje në aktivitete sportive – malore.
Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program, tha kryeministri Kurti, shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik. “Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Përtej kësaj, kryeministri tha se programi “Drejt Malit” flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor dhe se kjo është sezona e parë dimërore e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë.