Kryeministri i vendit, Albin Kurti përmes një postimi ka shkruar se qeveria është në anën e prodhuesve, përderisa gjatë së enjte qeveria ka ndarë 40 milionë euro për prodhuesit vendorë dhe eksportin.
Njoftimi i plotë:
Qasja në financa dhe kostoja e financimit janë ndër sfidat kryesore që prodhuesit tanë kanë për të zgjeruar kapacitetet e tyre. Për një investim në shtim të prodhimtarisë, nëse një biznes do të merrte kredi në shumë prej 500,000 euro, me kamatë 6% për t’i kthyer brenda 5 viteve, biznesi do të duhej të kthente: shumën e marrë, plus kamatën prej 79,984 euro. Kërkesa e prodhuesve çdoherë ka qenë që shteti t’u ndihmojë duke ua subvencionuar gjysmën e kamatës.
Me masën 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionim prej 20% te kredisë investive, prodhuesi që investon 500,000 euro në zgjerim të kapaciteteve do të marrë edhe më shumë sesa kamata që paguan: 100,000 euro, më saktësisht. Dhe mbështetja nuk ndalet me kaq. Sepse me masën 2.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, secili prodhues do të mund të përfitojë deri në 130,000 euro tjera, shtesë mbi shbvencionimin e investimit, për të ngritur kapacitetet e stafit, rritur cilësinë e produktit, dhe gjetjen e tregjeve të reja.
Kurrë më parë nuk ka pasur këso mbështetje. Qeveria është në anën e prodhuesve!