Kurti: Rinia është kapital njerëzor që mund dhe duhet të kthehet në kapital ekonomik

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në Kuvendin e XII- të anëtarëve të Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës – STIKK.   

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se teknologjia na lidhë dhe na ofron mes vete dhe krijon mundësi aty ku nuk ishin më parë. “Ky potencial për zhvillim nuk bën dhe nuk duhet të injorohet, por të shfrytëzohet sepse vendet e punës kanë lëvizur dhe vetë ekonomia ka lëvizur. Jetojmë në epokën kur koha po dominon mbi vendin, ku shpejtësia po ia kalon hapësirës. E është mëkat që kanë kaluar 20 vjet pa investimet e duhura dhe pa vëmendjen e duhur të shtetit për të krijuar këtë kapital njerëzor”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se rinia jonë ka shkathtësitë teknologjike për të bërë analiza komplekse të të dhënave dhe për të zhvilluar uebsajte, por mungojnë investimet e duhura të cilat e lidhin tregun e punës me edukimin e rinisë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti

Ju faleminderit shumë kryetare Sahatçiu,
Unë jam shumë i nderuar e i gëzuar që ndodhem sot këtu në mesin tuaj. Në aspektin e politikave ekonomike i përkas një lloj orientimi le të themi, në të cilin besohet që qeveria duhet të jetë e afërt me biznesin, por jo tepër afër. Dhe mënyra më e sigurt se si qeveria të jetë e afërt me biznesin e jo tepër e afërt me biznesin, është që të jetë e afërt me biznesin në përgjithësi, e jo me biznesmenët e veçantë. Prandaj edhe është vendi i duhur për mua që jam këtu te shoqata e juaj dhe mund t’iu them edhe të tjerëve pastaj që “stick with STIKK”, të rrinë bashkë me shoqatën, me atë që është e përgjithshme dhe në këtë mënyrë i ndihmojmë talentet, por njëkohësisht edhe e ngrisim mesataren. Sepse, vendi ynë gëlon prej talenteve, por duhet ta ngrisim mesataren e popullsisë, të shoqërisë tonë dhe në këtë mënyrë të avancojmë edhe drejt integrimeve evropiane, por me idenë që të zhvillohemi përbrenda, sepse në fund të fundit ne Evropën do ta ndërtojmë këtu, nuk do të shkojmë atje.


Unë ju faleminderit shumë për ftesën dhe ju përgëzoj për kuvendin vjetor.

Për ne rinia është kapital njerëzor që mund dhe duhet të kthehet në kapital ekonomik.

Sot nuk ka rëndësi ku jeton për t’u bërë zbuluesi i ardhshëm.

Një vajzë në Sharr/Dragash me qasje në internet dhe me një laptop mund të fillojë një startup dhe të lidhet me kompanitë në Amerikë e në Francë e të shes produkte online në tregun botëror.


Teknologjia na lidhë dhe na ofron mes vete dhe krijon mundësi aty ku nuk ishin më parë. Ky potencial për zhvillim nuk bën dhe nuk duhet të injorohet, por të shfrytëzohet sepse vendet e punës kanë lëvizur dhe vetë ekonomia ka lëvizur.


Jetojmë në epokën kur koha po dominon mbi vendin, ku shpejtësia po ia kalon hapësirës.

E është mëkat që kanë kaluar 20 vite pa investimet e duhura dhe pa vëmendjen e duhur të shtetit për të krijuar këtë kapital njerëzor. Rinia jonë ka shkathtësitë teknologjike për të bërë analiza komplekse të të dhënave dhe për të zhvilluar uebsajte, por mungojnë investimet e duhura të cilat e lidhin tregun e punës me edukimin e rinisë. Rinia jonë flet disa gjuhë, ato që të gjitha kryesoret në Bashkimin Evropian, kurse vendi ynë ndodhet në top 10 të Raportit “Të Bërit Biznes” i Bankës Botërore. 96% e familjeve në Kosovë janë të lidhur në internet, dhe 81% e përdorin internetin për çdo ditë.


Në programin e qeverisë sonë, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) përbën kapitull të veçantë në zhvillimin e ekonomisë. Janë disa hapa që kemi paraparë në programin qeverisës, të cilët janë diskutuar në një draft të tij për ta përmbyllur e për ta prezantuar së shpejti në Kuvend, të shtunën që shkoi, dhe unë po i përmend disa prej tyre:

ofrimi i trajnimeve për mësimdhënës në mënyrë që ata t’u përshtaten trendeve të teknologjisë dhe kërkesave të tregut;

themelimi i qendrave të teknologjisë me infrastrukturë të qëndrueshme dhe tërheqëse për kompanitë ndërkombëtare dhe vendore;

zhvillimi i politikave stimuluese për mbështetjen e teknologjisë së informimit dhe komunikimit, sidomos në rastin e kompanive të reja (“start-up”), por edhe atyre ekzistuese;

miratimi i standardeve ndërkombëtare përkatëse të TIK-ut për institucionet publike dhe bizneset.


Ne investojmë te ju, e ju investoni në ekonominë tonë e kështu ecim së bashku drejt zhvillimit që e bëjmë dhe mundësive që i hapim.

Ju faleminderit për ftesën dhe mundësinë t’iu drejtohem dhe unë iu dëshiroj suksese në punët që na presin së bashku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme