Kurti: Serbia e ka problem faktin që ne ekzistojmë si popull e si shtet

Prishtinë | 17 Pri 2024 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasve kosovarë të cilët janë ndaluar dhe mbahen të bllokuar përgjatë kufirit të Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë.

Kryeministri Kurti ka theksuar se kjo situatë ishte e paralajmëruar nga Serbia dhe se po bëhet pas suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

“Të dielën ka pasur një deklarim publik nga presidenti i Serbisë, ku është paralajmëruar se do të ketë kësi lloj  arrestimesh e ndalimesh për shqiptarët në vendkalimet kufitare. Ai ka thënë publikisht kur e ka vizituar njësitin e specializuar Kobra të ushtrisë së Serbisë se aty ku kanë kontroll efektiv do të ketë sulme mbi ata që Serbia i konsideron të padëshirueshëm. E këtu e ka fjalën për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe jo vetëm, por gjithashtu edhe për serbët të cilët janë të integruar në institucionet e sistemit tonë. Ndërkaq, pas kalimit me sukses me 82 përqind të votave në Asamblenë Parlamentare të KiE-së duket se është përshpejtuar dhe është rritur përmasa e Serbisë, e cila thjesht ka problem me faktin që ne si popull dhe si shtet ekzistojmë”, ka theksuar Kurti.

Këto komente kryeministri i bëri pas homazheve në Poklek në 25 vjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Ai tutje ka theksuar se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.

“Shumë prej të cilëve mbase i kanë ende në pushtet që asokohe bënin urdhërdhënie e ekzekutim, e këtu nuk e kam fjalën vetëm për presidentin e Serbisë, i cili dihet botërisht se ka qenë ministër i Informacionit. Qindra shqiptarë të ngujuar e të arrestuar nga autoritetet e Serbisë duhet të lirohen menjëherë, qoftë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo kufirin e Serbisë e Kroacisë dhe duhet t’u mundësohet dhënia e ushqimeve dhe medikamenteve, meqenëse për disa prej tyre po bëhen 24 orë që mbahen kësisoj të ngujuar dhe në mesin e atyre qindrave janë me dhjetëra fëmijë, e të cilët sigurisht se vuajnë më së shumti këtë gjendje kriminale që është bërë me urdhërdhënie nga Beogradi”, ka shtuar Kurti.

Gjithashtu, ai ka thënë se nëse dëgjohet me vëmendje se çfarë ka thënë presidenti i Serbisë kur e ka vizituar njësitin Kobra, aty do të mund të kuptohet se ajo që po ndodhë sot ka qenë e paralajmëruar.

Bashkimi Evropian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi.

BE-ja ka thënë se Serbia me bllokimin e kosovarëve ka shkelur Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

Të ngjashme