Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Zyra e BE-së, me titull “Arsimi gjithëpërfshirës: Nga politika në praktikë”.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kur morëm qeverisjen e Republikës së Kosovës, gati para 2 vitesh, thamë se fokusi ynë ishte një shoqëri e drejtë për të gjithë. Pra, siç tha ai, synimet e këtij projekti Përfshirja për ngritjen e kapaciteteve për përfshirje në arsim janë shumë të rëndësishme për ne. Më e mira e shoqërisë së Kosovës duhet të pasqyrohet në shkollat tona dhe shkollat tona duhet të ofrojnë mundësi të drejta, tha ai.
Ai theksoi rritjen prej më shumë se 26% të buxhetit në arsim në dy vitet e fundit, vendimin për ta bërë arsimin e lartë publik falas dhe bursat që ka dhuruar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për studentë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dëshmi të vëmendjes së qeverisë për arsimin, si një nga shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryeministri bëri të ditur se kanë trashëguar një situatë ku vetëm 59% e të rinjve romë, ashkali dhe egjiptianë përfundojnë arsimin e mesëm të ulët dhe trajtimi dhe adresimi i kësaj është një domosdoshmëri për të gjithë ne.
‘’Të dhënat e MICS nga intervistat me adoleshentët romë, ashkali dhe egjiptianë të moshës 15-19 vjeç, tregojnë se 13% e vajzave dhe 16% e djemve në këto komunitete janë ndjerë të diskriminuar. Në tërësinë e popullsisë, shifrat janë vetëm 2% e vajzave dhe 3% e djemve. Kjo është situata nga viti 2020 dhe në vitin 2023 dhe 2024 nuk duam që asnjë fëmijë në vendin tonë të ndihet i diskriminuar. Ne duam që të gjithë fëmijët tanë të jenë krenarë për atë që janë”, deklaroi kryeministri.
Dy nga pesë shtyllat e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali janë identifikuar të jenë edukimi dhe luftimi i diskriminimit, kurse Plani Strategjik për Edukimin identifikon përfshirjen e grupeve të cenueshme në edukim si një prej objektivave strategjike. Në këtë drejtim, kryeministri listoi nismat konkrete të cilat kanë për qëllim që strategjitë të përkthehen në realitet:
Nga përvoja, vazhdoi tutje ai, arsimi nuk është vetëm mision i shtetit për popullin e vet, por është edhe vendi ku fëmijët takohen për herë të parë me shtetin dhe ky takim, duhet të jetë një i tillë me mikpritje të ngrohtë, mbresëlënëse, që fëmijët nuk do ta harrojnë kurrë dhe që përcakton më vonë edhe profesionet që ata zgjedhin sikurse dhe kontributin dhe punën që bëjnë.
Kryeministri në këtë konferencë përshëndeti projektin Përfshirja për qasjen gjithëpërfshirëse që ka, duke përfshirë mentorimin dhe mësimdhënien për djemtë dhe vajzat romë, ashkali dhe egjiptianë, dhe trajtimin e qëndrimeve diskriminuese.