Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si mandatar për kryeministër, nga foltorja e Kuvendit foli e quajti të padrejtë kërkesën e ZPS-së për dënimin prej 45 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së, ku theksoi se në Kosovë krimet kundër njerëzimit dhe popullatës civile shqiptare kryen nga regjimi i Jugosllavisë, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se barazimi mes drejtuesve të UÇK-së me regjimin gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe shtrembërim faktik dhe historik.
“Më lejoni që t’iu përgëzoj të gjithëve për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së X dhe për funksionet dhe përgjegjësitë e reja që keni marrë. Ju faleminderit të gjithëve për përkushtimin që tregoni ndaj shtetit tonë të përbashkët. Këto dy seanca po i mbajmë në pasditen e mbrëmjes së sotme sepse këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e Prokurorisë për dënimin prej 45 vjetësh burgim për secilin, ku përfshihen edhe pretendimet për krimet kundër njerëzimit, është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë drejtoj është i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare, dhe ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik dhe historik, për familjet e viktimave është i padurueshëm përveçse i papranueshëm”, tha Kurti.
Fjalën e tij Kurti e vazhdoi duke treguar se çfarë bëri për pesë vjet.
“Këto gati 5 vitet e fundit, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar. Projektojmë se këtë vit bruto produkti vendor do të arrijë 12 miliardë euro. Rritjen ekonomike nuk e kemi mbajtur në shtet, por e kemi shpërndarë në shoqëri”, tha ai.
