Kurti: S’ka asgjë më të rëndësishme se si Qeveri të përgatisim gjeneratat për zhvillim e udhëheqje të vendit

Prishtinë | 20 Dhj 2023 | 12:29 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, ka marr pjesë në Konferencën për Rininë 2023 të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Ekonomia Online. Kjo konferencë është ngjarja përmbyllëse e këtij viti ku u prezantua politika e re qendrore karshi rinisë, dhe gjatë të cilës pati sesione interaktive, demonstrime dhe diskutime.

Duke kujtuar Muajin e Rinisë në gusht të këtij viti, Panairin e Punës e sukseset e rinisë në film, art, sport, biznes e teknologji, kryeministri Kurti u shpreh se roli i shtetit është ta përcjellë talentin dhe potencialin me mbështetje direkte, siç është edhe Strategjia Shtetërore për Rininë.

“Me Strategjinë Shtetërore për Rininë, kemi hartuar dokumentin kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri e institucion ka përcaktuar rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale për rininë, për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh kryeministri.

Pavarësisht vështirësive dhe defekteve në sistemin arsimor, kryeministri tha se jemi duke punuar në reforma, siç është arsimi dhe aftësimi profesional, arsimimi falas në nivelin e lartë publik dhe dhënia e bursave për notë mesatare të lartë, pesë mijë bursave tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, si dhe bursave për vajzat në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe të matematikës.

Tutje, kryeministri përmendi se në fillim të vitit 2021 ishin 28 293 të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut sivjet 2023, numri i të punësuarve ishte 60 884, arritje kjo mundësuar edhe përmes platformës së punësimit SuperPuna, programit “Kosova Generation Unlimited”, dhe programit “Komunat për të rinjtë”. Ndërkaq Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren dhe Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bernicë i cilësoi hapësira të veçanta për kreativitet dhe inovacion.

“Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare EYCA, do të sjellë benefite brenda dhe jashtë Kosovës për të gjithë të rinjtë tanë, pa dallim, nën moshën 30 vjeçare, tha kryeministri, teksa shtoi se me liberalizimin e vizave, dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, jemi në prag të mobilitetit të shtuar dhe lidhjes më të afërt me Evropën, e nëpërmjet programeve në shkolla publike, po bëjmë shtrirjen e artit, sportit dhe vullnetarizmit për gjeneratat e reja në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Skënderajt, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt dhe Kamenicës”.

“Unë jam i bindur se nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë si Qeveri se sa të përgatisim gjeneratën e ardhshme për zhvillim e për udhëheqje të vendit tonë”, përfundoi kryeministri duke u bërë thirrje të rinjve të kujdesen e të punojnë bashkë, për t’i ndihmuar vetës, njëri-tjetrit dhe shtetit.

Miguep Perestrello, presidenti i Shoqatës Evropiane, Karta Rinore (EYCA), tha se u ndihmojnë vendeve në zhvillimin e ekspertizave të nevojshme për zhvillim.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirë se keni ardhur dhe mirë së e gjejmë njëri tjetrin në këtë ngjarje të rëndësishme për rininë tonë.

Në gusht të këtij viti, në Muajin e Rinisë, pata mundësinë që të takoj qindra të reja e të rinj prej bashkëmoshatarëve anembanë Kosovës. Për shumë prej nesh që ishim të pranishëm, Panairi i Rinisë, si ngjarja përmbyllëse, edhe një herë dëshmoi për suksesin e vajzave dhe të djemve tanë.  Të punuara me dorë nga të rinjtë, produktet e ekspozuara në panair nuk ishin thjesht as objekte e mallëra, por punë e manifestuar në ditë të gjata e net të vona.

Sukseset e rinisë sonë në film, art, sport, biznes e teknologji janë përtej të zakonshmes, ndërkaq roli i shtetit është ta përcjellë talentin dhe potencialin me mbështetje direkte.

Për këtë brez të të rinjve, sfidat si në Kosovë, ashtu edhe botë, vazhdojnë të jenë të mëdha. Rezultatet e testit PISA për vendin tonë tashmë kanë treguar për defekte strukturore e kronike në sistemin arsimor. Kanë treguar se ka ende shumë për t’u bërë, që ka çështje të cilat po kanë efekte negative e shoqëruese në tregun e punës dhe ekonomi. Por vështirësitë që i quajmë sfidat nuk janë këtu për apati, nuk janë shkak për dëshpërim, por përkundrazi, për vullnet, optimizëm e entuziazëm.

Ne jemi duke punuar që ta reformojmë sistemin arsimor, që shkollat dhe universitet tona t’i bëjmë vend ku fëmijët e të rinjtë, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, punojnë, mësojnë e hulumtojnë. Adresimi i problemeve sistemike kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë. Është fakt se kurrë nuk ka pasur mjete më të mira për ta bërë ndryshimin – për ta zgjedhur rrugën e punës dhe kontributit, si për vendin individualisht, ashtu edhe për shoqërinë tonë kolektivisht.

Qysh herët në qeverisjen tonë, arsimin e lartë publik e bëmë falas. Pra studentët do të ju duhet të paguajnë për banesë e jetesë, mirëpo jo edhe për studime. Krahas mijëra bursave të rregullta për notë mesatare të lartë, ndamë rreth pesë mijë bursa tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, e jemi posaçërisht të lumtur me rezultatet e bursave për vajzat në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe të matematikës. Nga viti 2021 deri në 2023, i kemi ndarë 4,630 bursa për vajzat në STEM. Falë masave tona stimuluese, pjesëmarrja e vajzave në STEM në Universitetin e Prishtinës ka arritur në 50%, dhe këtë duhet ta krahasojmë me krahasuar me mesataren në Bashkimin Evropian që është 17%.  

Për arsimin dhe aftësimin profesional, po zhvillojmë dhe pilotojmë sistemin dual – tashmë në 12 profile të punës, në 21 shkolla, në 14 komuna – gjithandej Kosovës. Sistemi dual shërben jo vetëm të plotësojmë vetëm vendet e lira të punës, por edhe të ndërtojmë themelin për të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Krahas rritjes së ekonomisë dhe eksportit dhe buxhetit shtetëror rekord, kemi parë përfitime konkrete për rininë tonë, me më dyfishim të numrit të të punësuarve. Në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut sivjet 2023, numri i të punësuarve ishte 60,884.

Pra, për të rejat dhe të rinjtë nën moshën 25 vjeçare, për dy vite e gjysmë, kemi më shumë se sa dyfishim të të punësuarve.

Përmes platformës së punësimit “SuperPuna”, për nëntë muaj janë punësuar rreth 8,500 të rinj të moshave 18 deri në 25 vjeç, gjithsej 6,400 biznese.

Për punë praktikë, me programin ‘Kosova Generation Unlimited’ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë dhe rrjetin CSR, po ofrojmë mundësi për 10 mijë të rinj e të reja deri në fund të vitit 2024.

Ngjashëm, përmes programit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Bankës Botërore “Komunat për të rinjtë”, përveç dhënies së granteve të drejtpërdrejta për të rinjtë, u organizuan trajnime në menaxhimin e projekteve dhe aftësive të buta për më shumë se 1,500 të rinj.

Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, e kemi Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, që është mbështetur me 8 milionë euro, si dhe Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bernicë, të cilin e inauguruam së bashku. Themeluam gjithashtu qendrën për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e Teknologjisë, Informacionit dhe të Komunikimit.

Javën e kaluar e kumtuam lajmin që Kosova iu ka bashkuar 30 shteteve evropiane, duke u bërë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare EYCA, që do të sjellë benefite brenda dhe jashtë Kosovës për të gjithë të rinjtë tanë, pa dallim, nën moshën 30 vjeçare.

Me liberalizimin e vizave, dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, jemi në prag të mobilitetit të shtuar dhe lidhjes më të afërt me Evropën. E nëpërmjet programeve në shkolla publike, po bëjmë shtrirjen e artit, sportit dhe vullnetarizmit për gjeneratat e reja në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Skënderajt, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt dhe Kamenicës.

Ndërkaq, me Strategjinë Shtetërore për Rininë, kemi hartuar dokumentin kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri e institucion ka përcaktuar rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale për rininë, për herë të parë në vendin tonë.

Pra, investim në edukim, punësim, e aftësim të rinisë, me përkushtimin dhe energjinë e një qeverie të re, të mirë e demokratike të një vendi të ri, me popullsi të re.

Unë jam i bindur se nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë si Qeveri se sa të përgatisim gjeneratën e ardhshme për zhvillim e për udhëheqje të vendit tonë. Po shohim në rajon, në Evropë dhe në botë, se demokracia, liria, barabarësia nuk duhen marrë si të mirëqena, si fakte të dhëna njëherë e përgjithmonë në shoqërinë tonë, por ato duhet mbrojtur tërë kohën, kudo, me çdo kusht. Që ta arrijmë këtë na duhet edhe ndihma juaj e bashkëpunimi ynë

Që ta zhvilloni vetën dhe shoqërinë, ju do keni përkrahjen e përhershme të shtetit tuaj, sepse ai është i juaji. Prandaj, mos lejoni që të ndikoheni nga indiferenca apo individualizmi. Çdoherë kur ka konkurrencë, le të ketë edhe bashkëpunim, në mënyrë që konkurrenca të jetë konstruktive e produktive e të mos shndërrohet në rivalitet armiqësor. Ndani me të tjerët shpresën, dashurinë për punën dhe për të drejtën.

Unë që të keni sot një ditë të mbarë, por edhe çdo ditë të mbetur të këtij viti, që të diskutoni e të takohemi, të punoni e të argëtoheni me nisma të ndryshme e aktivitete të llojllojshme të përbashkëta.

Këshilla ime do ishte, që teksa shikoni përpara, gjithmonë të shikoni edhe anash dhe të siguroheni që askënd s’e keni lënë prapa. Të kujdeseni pra, për ata që keni afër dhe të shihni se si mund të punoni bashkë, për t’i ndihmuar vetës, njëri-tjetrit dhe shoqërisë, popullit, shtetit e kombit tonë mbarë.

Urime festat e fundvitit dhe ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen tua, ngado që shkoni e çka do që bëni.

Ju faleminderit.

Të ngjashme