Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në 3 vjetorin e themelimit të Gjykatës Speciale, ka folur për skenarët që çuan deri në aprovimin e saj, ndërsa ka thënë se ka shkuar një kohë e gjatë, por nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe janë shpenzuar miliona euro.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
Sot bëhen tre vjet prej se u votua në Kuvendin e Kosovës amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës që ia hapi rrugën krijimit të Gjykatës Speciale. Ishte ky votimi skandaloz, më 3 gusht 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim.
Pa asnjë shkronjë ndryshe, propozimin për amandamentin 24, Kuvendi e pat rrëzuar me vota më 26 qershor 2015, pra pesë javë më parë, kur kishin votuar vetëm 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime. Është rast tipik prej shteti të dështuar, kur nuk respektohet institucioni kryesor i republikës, parlamenti, dhe kur sillet për votim i njëjti dokument, deri sa të arrihet rezultati që dëshirojnë sundimtarët. Kjo ka qenë tallje me parlamentin e Kosovës.
Votat për herën e dytë u siguruan me presionin e ndërkombëtarëve dhe kreut të PDK-së mbi disa deputetë të PDK-së, të cilët edhe një herë dëshmuan se janë trima e patriotë vetëm për t’u mburrur. Me hapjen e rrugës për Gjykatën Speciale u poshtëruan institucionet vendore të Kosovës dhe u ndërtua një sistem paralel i drejtësisë, i cili nuk ka ndjesi republikane dhe nuk jep përgjegjësi demokratike ndaj vendit dhe popullit prej të cilit merr fuqinë.
U tha se Gjykata Speciale do të ndëshkonte kriminelë, mirëpo ja ku jemi, kanë kaluar tre vjet, janë shpenzuar afër njëqind milionë euro, por ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë e nuk ka filluar asnjë proces. Kryeprokurori David Schëendiman, i cili u prezantua si njeriu i hekurt që do t’ua tregonte vendin kriminelëve të pushtetshëm, dha dorëheqje në shkurt të vitit 2018 me ca shpjegime e ankesa të çuditshme. Tash zëvendësit të tij do t’i duhen muaj e ndoshta edhe vite (por me siguri edhe miliona të tjera) që të arrijë të lexojë gjithë lëndët e përgatitura.
Atëbotë thuhej se miratimi i Gjykatës Speciale do ta pastronte imazhin e Kosovës dhe do të ndihmonte procesin e njohjeve ndërkombëtare. Asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur, sepse imazhin e keq dhe faqen e zezë na i nxjerrin qeveritarët injorantë, zhvatës a vjedhës, të cilët bëjnë lëshime ndërkombëtarisht për të ruajtur pushtetin e vet, prandaj askush nuk i merr seriozisht në skenën diplomatike.
Pra, deputetët që e votuan Gjykatën Speciale më 3 gusht 2015, si zakonisht kanë gënjyer për efektet pozitive që ajo do t’i sillte Kosovës, e si zakonisht i kanë fshehur dëmet e mëdha që shkaktoi votimi i tyre i papërgjegjshëm. Gjykata Speciale, përveçse që po i etablon si serioze pretendimet qesharake të Dick Marty-t për UÇK-në, po funksionon vetëm si një mjet shantazhi ndaj disa pushtetarëve në Kosovë, që të bëjnë edhe më shumë lëshime qoftë në aspektin ekonomik me koncesione e kontrata kapitulluese, qoftë në aspektin e sovranitetit, ku së fundmi po nguten për “kompromis të dhimbshëm” me Serbinë.
Ne ishim kundër atëherë, dhe jemi kundër sot. I patëm parashikuar të gjitha këto padrejtësi, mashtrime e dështime. Por dështimet e tilla për Kosovën do të mund të ndalen vetëm kur të mos jepet më vota për kriminelët dhe për tradhtarët, për të pandershmit e për cinikët, për injorantët e për arrogantët. Vetëm atëherë Kuvendi, Qeveria, Gjyqësori dhe gjithë institucionet do të mund të marrin vlerën dhe peshën që u takon, në Republikën tonë të Tretë