Kryeministri Albin Kurt, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e vrasjes së tij, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, kryeministri Kurti tha se sakrifica e heroit nuk do të harrohet kurrë, duke shtuar se Bunjaku humbi jetën “duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.
Kurti tha se rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vendit.
“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës, në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë, andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, të heroit Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.
Ai tha se me rënien e tij nuk ranë policë të tjerë, ndërsa për kolegët e Afrim Bunjakut që ishin me të kur u sulmuan, tha se nuk lejuan që trupi i tij të bie në dorën e grupit terrorist.
“Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë shumë policë të tjerë dhe ata policë që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike e forcat që ishin të financuara dhe të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë që kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë ikën me turp, i lanë të vrarët dhe të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin tonë dhe me popullin tonë liridashës”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku përgjegjëse është Serbia dhe se ajo duhet të japë përgjegjësinë. Këtu ai kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.
“Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë. Idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë e po i jetësojmë, ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë. Sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga ‘Afrim Bunjaku’. Kjo është rruga e të gjithë neve”, deklaroi Kurti.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Afrim Bunjaku do të kujtohet përgjithmonë. Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku është shembulli më i mirë për vetëmohim.
“Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit. Ai dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcenohet se si duhet të jepet jeta. Ai e la shembullin më të vyet edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që janë në Policinë e Kosovës se si duhet të veproj njeriu kur e kërkon shteti”, shtoi ai.
Homazhe kanë bërë edhe disa ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Gjithashtu, në këtë delegacion ishte edhe Komandanti i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe disa përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist i Milan Radoiçiqit. Nga sulmet e grupit terrorist ishin plagosur edhe dy policë tjerë të Kosovës.
Për nder të tij, rruga rajonale, segmenti Ballaban – Banjskë, ka marrë emrin e tij.