Kurti takohet me Drejtoren Ekzekutive të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Ofrimi dhe sigurimi i qasjes së barabartë në drejtësi për qytetarët e Republikës së Kosovës, ishte tema e takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu me Drejtoren Ekzekutive të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Kalanderi.

Gjatë takimit u theksua roli i rëndësishëm i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët të cilët përballen me kushte të vështira ekonomike. U bisedua edhe për angazhimin shtesë të Agjencisë, që pas amendamentimit të Ligjit, nga fillimi i këtij viti, ofron ndihmë juridike falas edhe për viktimat e dhunës dhe për gazetarët të cilët pengohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Nga viti 2007, është ofruar ndihmë për rreth 60 mijë raste dhe 92% të rreth 5 mijë rasteve që kanë shkuar në Gjykatë me avokat kanë qenë raste të fituar.

U bisedua edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo Agjenci dhe hapat e nevojshëm dhe angazhimin e përbashkët, për të pasur funksionim sa me të qëndrueshëm të Agjencisë, ngritje të cilësisë në rastet e ndihmës juridike, rritjen e fushatave informuese për njoftimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe shërbimet e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

Të ngjashme