Kurti takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström

Prishtinë | 20 Pri 2023 | 15:49 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti mirëpriti në​ takim ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström.

Duke e falënderuar për vizitën, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e hershme të Suedisë, edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe të vazhdueshme përgjatë gjithë fazave të shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar. Përfshirë këtu, mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave, i cili përfundimisht mori epilogun pozitiv dje, pikërisht gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së, me rastin nënshkrimit të vendimit të Parlamentit Evropian.

Suedia është në mesin e top 5 donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, duke dhënë kontribut të çmueshëm në fuqizimin e kapaciteteve të administratës publike, në përgatitjen dhe hartimin politikave për barazi dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Suedisë. Kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Billström për progresin e vendit dhe arritjet e qeverisë. Ai tha se Kosova është partnere dhe mike e qëndrueshme e Suedisë, me të cilën ndanë vlera të përbashkëta demokratike dhe orientim të përbashkët euro-atlantik. Të dyja palët shprehën interesimin për përafrimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Me këtë rast, u theksua rëndësia e Odës Nordike Ekonomike e cila pritet të hapet së shpejti dhe roli që ajo do ta ketë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Më tej, u bisedua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raportet ndërmjet dy vendeve dhe për marrëveshjet e arritura së fundmi në Bruksel dhe Ohër, të cilat janë mirëpritur dhe mbështeten edhe nga Suedia. Kryeministri Kurti ndau me ministrin Billström këndvështrimet e tij nga takimet në Ohër, pritjet për takimin e radhës në Bruksel dhe qëndrimin e tij dhe të Republikës së Kosovës që Marrëveshja Bazë duhet të zbatohet e plotë, pa kushtëzime dhe menjëherë.

Kjo ishte hera e dytë që ministri Billström viziton Kosovën në kapacitete të ndryshme. Herën e parë ishte në Kosovë para një dekade.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci Sherifi dhe stafi i tij. Ndërkaq ministri suedez Billström, krahas stafit të tij, shoqërohej edhe nga Udhëheqësja e Departamentit për Evropë dhe Amerikë Veriore në ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, ambasadorja Veronika Wand-Danielsson dhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Të ngjashme