Kurti takohet me shefin e EULEX-it dhe kjo ishte përshëndetja e tyre

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Në njoftimin për media, thuhet se Qeveria e Kosovës është e vendosur të ndërtojë Shtetin e së Drejtës në vendin tonë.

“Sundimi i Ligjit nuk ka alternativë. Në takim u diskutua për mënyrat e mundshme të përkrahjes për Qeverinë në lëmitë ku përvoja dhe aftësitë e EULEX-it përbëjnë një ndihmë të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin nga kryeministria.

Kryeministri Kurti ndër të tjera, theksoi rëndësinë e madhe të adresimit të gati 300 mbetjeve mortore në Morgun e Prishtinës. Për këtë u premtua bashkëpunim nga ana e EULEX-it.

Prej këtij takimi, një fotografi e ka postuar në rrjetin social Facebook, Erzen Vraniqi nga Vetëvendosja.

“Masat parandaluese kundër përhapjes së coronavirusit në takimet e kryeministrit”, ka shkruar Vraniqi.

Një paralajmërim si shenjë mbrojtjeje prej virusit, Kurti e paralajmëroi dje, duke thënë se s’do t’ua japë më duart ministrave apo deputetëve.

“Unë nuk do të shtrëngojë më duart e deputetëve apo ministrave dhe askujt tjetër. Kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet tona por me masat mbrojtëse kundër koronavirusit”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme