Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport dhe Shefin për Çështje Politike dhe Komunikim të misionit të OSBE-së, Jeff Bieley.
Ambasadori Davenport e uroi Kryeministrin Kurti për detyrën dhe përgjegjësitë e reja. Ai tha se OSBE-ja është e gatshme të vazhdojë të ofrojë mbështetjen dhe ekspertizën e saj për Qeverinë e re në përputhje me nevojat e Qeverisë dhe fushëveprimin e OSBE-së.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Davenport për urimin, bashkëpunimin e deritanishëm, dhe gatishmërinë për të ofruar edhe më tutje mbështetje ndaj institucioneve tona. Ai veçoi kontributin që OSBE mund të ofrojë në dialogun e brendshëm me komunitetet joshumicë në Kosovë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që të mos ketë më devijime e manipulime në përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.